
Sot e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm festojnë 109-vjetorin e Pavarësisë, Ditën e Flamurit. Lidhur me këtë ditë historike për shqiptarët në një lidhje skype në studion e lajmeve në MCN TV ka folur nënkryetari i komunitetit shqiptar në Dallas Teksas z. Zekë Nokshiqi.
Ai u shpreh se në komunitetin shqiptar në Dallas të gjithë janë të angazhuar për të festuar festat kombëtare për shqiptarët dhe veçanërisht 28 Nëntorin. Ndër të tjera ai u shpreh se dhe ideja e bashkimit kombëtar ka qenë, është dhe do të ngelet dhe se sipas tij kufijtë janë vetëm gjeografik, pasi kudo ku ka shqiptarë, ka Shqipëri.
Ne në komunitetin shqiptar këtu në Dallas Teksas jemi të angazhuar çdo vit që të festojmë të gjitha festat tona kombëtare, veçanërisht 28 Nëntorin, pavarësinë e Shqipërisë. Këtu në SHBA në përgjithësi të gjithë janë të unifikuar dhe janë në një farë mënyre bashkëpunues, jo sa duhet, por në masën e kënaqshme. Sa i përket idesë së bashkimit kombëtar, kjo ide ka qenë, është dhe do të ngelet sa do të jenë shqiptarët. Kufijtë tanë janë gjeografik, por ne kudo ku jemi, jemi Shqipëri. Jemi bashkë kudo që jemi.
I pyetur se çfarë po bëhet për shkollat shqipe në Teksas, Nokshiqi u shpreh se prej 4 vitesh aty kanë shkollën e tyre ku fëmijët mësojnë shqip, ndërsa shtoi se ato janë e vetmja mundësi për të mbajtur gjallë gjuhën.
Ne kemi shkollën shqipe këtu në Dallas prej 4 vitesh. Është tentuar dhe më parë të kemi një shkollë, por suksesi më i madh ka qenë në këto 4 vite. Mësuesit janë profesional. Kemi gjetur një bashkëpunim me mësuesit dhe prindërit për të mbajtur gjuhën gjallë përmes shkollës.



