Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me hetimet e prokurorisë për kompaninë “Bankers Pertrolium”, duke thënë se ka shmangur tatimet ndaj shtetit për 20 vite.
Në komunikimin “Sy më sy” me ndjekësit në rrjetet sociale, Rama kërkoi që Prokuroria t’i nxjerrë ujin e zi kësaj çështje.
Ne kemi fituar me “Bankers” një arbitrazh dhe “Bankers” na detyrohet 240 milionë euro. Shyqyr që ka ardhur dita që Prokuroria investigon në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast i heq kapelën përkatëse që ka bërë këtë investigim.
Uroj që të nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje ku realisht ka pasur shumë problematika dhe që është akoma sot e gjithë ditën, kostoja e një koncesioni të dhënë para se unë të merrja detyrën.
Koncesionet që kemi dhënë, nuk do t’i lija pa i ribërë, janë në shërbim të popullit shqiptar, po koncesionet që kemi trashëguar janë ç’janë, ato janë vrima të zeza.
Sipas prokurorisë, “Bankers Petroleum”, gjatë periudhës 2004-2024 ka kryer shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekë, por pavarësisht kësaj shume, kompania ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë.
Sipas organit të akuzës, përmes kësaj skeme, kompania ka shmangur pagimin e tatim-fitimit për 20 vite me radhë dhe për më tepër ka përfituar rimbursime fiktive të TVSH-së, duke shkaktuar dëm financiar në miliona euro në buxhetin e shtetit.
Në kuadër të këtij hetimi deri më tani janë arrestuar drejtori aktual i kompanisë, Hongping Xiao, shtetas kinez, si dhe ish-drejtori Leonidha Çobo.
7 masa të tjera sigurimi janë ekzekutuar ndaj disa shtetasve të tjerë me pozicione drejtuese në këtë kompani, ndërkohë që 5 shtetas të huaj janë shpallur në kërkim.



