Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç për herë të parë la të kuptohet se Beogradi mund të ndryshojë kurs dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, një nga kërkesat kryesore të BE-së që Serbia të përparojë në bisedimet e anëtarësimit në BE.
Në një intervistë ekskluzive në "EURACTIV Serbia", Daçiç, një politikan me mbi 30 vite karrierë në nivel të lartë tha se Beogradi orientohet drejt asaj që është në interesin më të mirë të këtij shteti.
“Ne dënojmë shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës dhe kështu votuam në organet ndërkombëtare. Nëse ne do të vendosim sanksione ndaj Rusisë është një çështje tjetër. Nuk është çështje kohe apo afatesh, është një çështje që ka të bëjë me interesat tona politike dhe ekonomike”, u shpreh ai.
Kujtojmë që Presidenti Vuçiç ka kundërshtuar ashpër sanksionet ndaj Moskës lidhur me ofensivën në Ukrainë, duke theksuar se Serbia importon naftë dhe gaz natyror nga Rusia. Megjithatë ka pasur një presion në rritje nga Perëndimi ndaj Beogradit në mënyrë që Vuçiç të ndryshojë qëndrimin e tij. Në tetor u bë public një plan 12 miliardë euro për investime në infrastrukturën e energjisë për të diversifikuar dhe siguruar furnizimin me energji.



