Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cilëson akt paturpësie bërjen publike nga kryeministri Rama të një liste prej 100 zyrtarësh të administratës, që sipas denoncimit të qytetarëve në “Facebook” nuk kanë kryer detyrën apo kanë abuzuar me zyrat e shtetit. Në një reagim në “Facebook”, Kryemadhi bën sërish thirrje për bashkimin e opozitës, ndërsa e akuzon Ramën se e ka kapur deliri i pushtetit.
Statusi i Kryemadhit
Mirëmëngjes!
Nuk ka më qesharake se të lexosh cfarë kryeministri shkruan pas mesnate, duke u munduar të justifikojë publikimin e një "liste të zezë", të ngjashme me fletërrufetë e komunizmit. Sado të përpiqet me arrogancë dhe paralajmerime, Edi Rama nuk e shmang dot paturpësinë e tij dhe të oborrtarëve të tij që shkelën çdo të drejtë njerëzore dhe publike duke linçuar, jo vetëm punonjës të administratës, por edhe prokurorë e gjykatës, që nuk janë aspak kompetencë e kreut të qeverisë.
Por deliri i pushtetit nuk njeh më kufij dhe shenjat e para të sundimit të pakicës, që vodhi zgjedhjet e qershorit, po jep shenjat e para. Karafili i qeverisë nuk sheh më përtej oborrit të tij, krimit dhe drogës, bashkëpunëtorëve të vjedhjes së votes dhe oligarkëve. Pushteti pa kufij që ata i dhanë me tjetërsimin e votës e bën atë të mendojë dhe veprojë si një diktator, duke harruar që ky popull ka memorie dhe nuk i toleron akte të tilla paturpësie.
Ndaj të gjthë së bashku duhet ta ndalojmë këtë delirant që nuk njeh më kufizime. Sot më shumë se kurrë opozita duhet të jete e fortë dhe e bashkuar për ti treguar këtij kryeministri në delir se pushteti i pakufizuar dhe arroganca janë te papranueshme në demokraci, qoftë edhe në një demokraci të brishtë si e jona. Të gjithë së bashku duhet ta ndalojmë këtë revansh që u ble në 25 qershor me lekët e krimit dhe drogës. LSI do të vijojë çdo ditë dhe pa kompromis betejën e saj kundër instalimit të pushtetit mafioz. Të gjithë së bashku do ti japim përgjigjjen që meriton arrogancës së pushtetit të blerë me parate e krimit dhe drogës. E drejta e votës do të jete synimi ynë. Askush nuk na ndal në këtë rrugë drejt lirisë që çdo shqiptar ka për të vendosur të ardhmen e tij dhe te fëmijëve të tij.



