
Prodhuesi amerikan i barnave Pfizer ka synimet e tij në tregun e trajtimit të kancerit tashmë që pandemia Covid-19 ka mbaruar dhe kërkesa globale për vaksina dhe ilaçet kundër koronavirusit po bie, tha CEO i Pfizer, Albert Bourla për Fox Business.
Kompania pret të arrijë rezultate të mëdha në barnat e kancerit, tha Bourla, pasi gjiganti farmaceutik kërkon të ndryshojë rënien pas Covid.
Pandemia solli të ardhura rekord për kompaninë. Vetëm në vitin 2022, shitjet totale të Pfizer arritën në 157 miliardë dollarë, me vaksinën e saj Covid dhe pilulën e trajtimit antiviral, Paxlovid.
Në vitin 2023, shitjet u ulën me më shumë se gjysmën dhe përbënin 71 miliardë dollarë. Aksionet e kompanisë kanë rënë me 42% që nga fundi i vitit 2022 mes rënies së shpejtë të kërkesës për produktet e saj të lidhura me Covid.
Kjo çoi në një fushatë të madhe për uljen e kostove, përfshirë qindra pushime nga puna në objektet e saj në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Irlandë.
Kanceri, është Covid-i ynë i ri. Ne bëmë atë që bëmë me Covid. Jemi shumë krenarë që kemi shpëtuar botën, por ajo ka mbetur pas tani.
Duam ta bëjmë edhe një herë dhe mendoj se onkologjia është shansi ynë më i mirë për ta bërë.
Në fund të vitit 2023, prodhuesi amerikan i barnave përfundoi blerjen prej 43 miliardë dollarësh të Seagen një kompani bioteknologjike e specializuar në barnat e bazuara në antitrupa monoklonale, të njohura gjithashtu si konjugatët antitrupa-drogë, ose ADC.
Ato janë të projektuara për të vrarë qelizat tumorale duke lënë indet e shëndetshme relativisht të paprekura.
Një tjetër ilaç i kompanisë që ka treguar “performancë fenomenale” është Padcev, sipas Bourla. Padcev përdoret për të trajtuar kancerin e fshikëzës dhe shitjet e tij kanë pasur një rritje prej 164% që kur gjigandi farmaceutik amerikan e bleu atë.



