
Emisioni ”Xhadat” udhëtoi në Karicë të Burrelit, aty ku jeton familja Kurti, e cila përbëhet prej shtatë anëtarësh.
Nga tërmeti i 26 Nëtorit të vitit 2019 banesa e kësaj familje u dëmtua dhe u vlerësua e pabanueshme nga inxhinierët. Si rrjedhojë emergjencat civile i dërguan një çadër, në të cilën është shumë e vështirë për të jetuar kjo familje e madhe. Kryefamiljari bëri një kërkesë në Bashkinë Mat për t’u trajtuar me bonus qiraje.
“Fillimisht Bashkia Mat, më ndihmoi duke më sjellë një çadër si emergjencë të shpejtë për të jetuar me fëmijët. Pastaj u detyrova ngaqë në çadër nuk mund të jetohej u detyrova dhe hyra në shtëpi me qira, bashkia më paguante qiranë e banesës. Pas një kohe, bashkia solli një komision me inxhinirë për të vlerësuar dëmin e shkaktuar. Si rezultat i komisionit shtëpia doli e pa banueshme. Por komisioni i vlerësimit e ka bërë dosjen gabim, sepse nuk e ka cilësuar aty në letër si të dëmtuar nga tërmeti, por është e amortizuar ndër vite. Për këtë arsye më ndërprenë bonusin e qirasë”- shtoi kryefamiljari.
Ndërkohë, për këtë shqetësim të familjes Kurti, drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë Mat, Enea Gjyla u shpreh si më poshtë:
“Ne jemi në dijeni të rastit të familjes së zotit Hajri Kurti. Ka pasur dëmtime shtëpia e tyre nga tërmeti i 26 nëtorit 2019. Është trajtuar nga sektori i emergjencave civile, me bonusin e qirasë prej një viti. Për 2021 nuk është trajtuar me bonus qiraje. Do ta shikojmë për 2022 me një nga programet sociale që ka bashkia, pasi për vitin 2021 nuk është se bashkia ka pasur shumë fonde, për shkak edhe të pandemisë së covid-19. Do jetë rast që do të trajtohet në vazhdimësi”.
Ndërsa për drejtorin e mbrojtjes civile pranë Bashkisë Mat, z.Nezir Sinani, kjo familje do të futet përsëri në skemën e trajtimit me qira.
“Jam në dijeni të kësaj familje, familjes Kurti nga Karica, një familje, me një objekt shtëpi banimi të dëmtuar. Kjo ka ardhur si pasojë e shumë faktorëve po ndërmjet të tjerave pretendon se është edhe nga e tërmeti i vitit 2019. Grupi i konstatimit vajti në objekt tek shtëpia e banimit, u pa në vend objekti, u pa që shtëpia përgjithësisht ishte e pabanueshme, pasi kishte dëmtime pothuajse dhe në strukture, dhe kjo familje u ndihmua me çadër U mendua që kjo shtëpi të trajtohej me bonus qiraje.U zgjodh një shpi në fshat,për të cilën bashkia në bazë të ligjit e ka mbuluar, e ka trajtuar me qera për një vit. Nëse krijohet një mundësi,mundësia e pare, e dytë, e tretë,maksimumi në katër,pesë familjet e para që mund të trajtohen, është kjo familje”.



