Sadri Ramabaja, drejtor i Institutit për Gjeopolitikë në Kosovë, komentoi në studion e lajmeve vendimin Komitetit Ministor të Këshillit të Europës për miratimin e procedurave që do të bëjnë të mundur anëtarësimin e Kosovës. Ramabaja tha se vendimi është vlerësim për qeverisjen e vendit gjatë dy viteve të fundit.
Ky hap nuk do të mund të bëhej pa një rivlerësim të mirë të qeverisjes së dy viteve të fundit. Ky vlerësim ka marrë notë pozitive me këtë akt që ndodhi. Kosova tashmë është stabilizuar në rrafshin politik dhe në marrëdhëniet me shtetet partnere, në këtë rast dëshmoi se angazhimi i fuqishëm sidomos i Gjermanisë ishte një kontribut i jashtëzakonshëm.
Dy ditë më parë, Komiteti Ministror që përfaqëson 46 shtetet anëtare miratoi kërkesën e Kosovës me më shumë se 2/3 e votave. 33 shtete votuan pro, 7 kundër dhe 5 abstenim.
Abstenimin e disa shteteve, Ramabaja e quajti shenjë pozitive për Kosovën.
Pati disa lëvizje nga shtete që nuk e njohin Republikën e Kosovës. Abstenuan, por nuk votuan kundër, pra ishte një votim pozitiv. Ndërsa vota kundër e Hungarisë ishte më shumë i dëmshëm për Hungarinë se për Kosovën. Abstenimi i Greqisë ishte shenjë pozitive.
Ndërsa lidhur me procesin e dialogut, ai tha se presidenti serb po përpiqet të fitojë kohë.
Jam i prirë të besoj se Vuçiç po e përdor si alibi këtë mënyrë të vepruari për të shtyrë njohjen e Kosovës, sa kohë që ai është në pushtet.



