
Dy partitë opozitare në legjislaturën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë pranë ngjitjes së rrugës drejt formimit të Qeverisë së re. Kjo pasi Vetëvendosja, e cila doli partia e parë më e votuar në Kosovë, ka lënë derën hapur për koalicion me LDK-në, marrëveshje të cilën nuk e ka përjashtuar as LDK-ja.
Mirëpo as sot duket që nuk do të nis starti i konsultave për krijimin e Qeverisë, megjithëse një natë më herët, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, premtoi nisjen e tyre.
Kjo, meqë partneri preferencial i Kurtit, Lidhja Demokratike, e cila ka dalë e dyta, do të presë numërimin e të gjitha votave, përfshirë ato me kusht dhe votat e diasporës. Kështu ka deklaruar pretendentja për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmani, e cila ka preferuar të pres rezultatin përfundimtar të numërimit të votave, e më pas uljen në konsultime të mundshme.
Mbështetur në deklarimet publike të VV-së dhe LDK-së, parti këto që deri tani përbënin opozitën, ato do të jenë qeveri e ardhshme.
Përndryshe, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të shpallen tek pasi të numërohen votat me kusht, votat përmes postës dhe votat e personave me nevoja të veçanta.



