
Menaxhimi i lumit Vjosa, i cilësuar si zemra blu e Evropës për faktin se është i vetmi që ka rrjedhje të egër natyrore, po rrezikon dëmtimin e saj me ndërtimin e planifikuar të HEC-eve, por së fundi ka rezultuar me anulimin e kontratës me firmën turke për Kalivaçin. Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, thotë në studion e lajmeve në MCN TV, se shteti nuk do duhej fare të hapte tender tre vjet më parë, dhe si e tillë, tashmë rrezikon nga kompania turke, ta çojë në arbitrazh, përmes së cilës Shqipëria do të paguajë dëme të tjera.
“Me këtë akt, kompania ka të drejtë të shkojë në arbitrazh, për thyerje të kontratës, dhe taksapaguesit do të paguajnë një dënim tjetër, kjo është grackë e pastër arbitrazhi me bekimin e qeverisë. Iniciativa për të ndarë paratë mes shtetit dhe kompanive që kanë koncensione është shumë e madhe. Nëse qeveria e kishte vendosur që aty s’do të ndërtohej, nuk kishte pse hapte tendera tre vjet më parë dhe tani shkon në anulim, kjo është një grackë e pastër për të marrë para”.
Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, ka folur për shpalljen e Luginës së Vjosës Park i Mbrojtur, porse sipas gazetarit Tomorri, kjo lë shteg për ndërtimin e HEC-eve, të cilat do të kishin kosto të dëmshme dhe të pariparueshme për mjedisin.
“Ne duhet të shohim aktet e qeverisë dhe Ministrisë së Mjedisit, lidhur me shpalljen park të tërë Luginës së Vjosës, dhe duhet parë cila anë është. Në vigjilje të fushatave elektorale, luhet me këto kontrata sikur ne po mbrojmë mjedisin dhe po shihet se e gjitha ka qenë një lojë. Vjosa është një pasuri e njohur natyrore dhe i vetmi që ka mbetur në Evropë me rrjedhje të egër natyrore dhe në këtë rast, ngritja e digave, ka më shumë kosto për krime mjedisore, se sa kosto përfituese”.



