Policia e Vlorës dhe ajo Kufitare kanë zbuluar deisa detaje të tjera të operacionit të djeshëm për kapjen e një gomoneje me lëndë narkotike në gjirin e Gramës. Operacioni u zhvillua dje, por transportuesit ia dolën të arratiseshin pasi i kishin vënë flakën mjetit lundrues. Pasi mbërriti në vendin ku ishte djegur mjeti, Gjiri i Shën Andreas në Karaburun, policia konstatoi se në gomone kishte marijuanë të djegur. Nga kontrolli i ushtruar në zonën përreth, policia gjeti edhe 224 kg marijuanë të fshehur në pyll.
Njoftimi i policisë
Gjatë mesditës së datës 14 Nëntor Shërbimet e Policisë Kufitare të Stacionit Dhërmi kanë konstatuar në sektorin Rrugët e bardha -Gjiri Gramës, në vendin e quajtur "Gjiri Shën Andreas", Karaburun në breg, një mjet lundrues tip gomone, i cili po digjej dhe në afërsi të tij disa qese dhe thasë plastmasi. Përshkrimi i mjetit lundrues përputhej me informacionin që dispononte Policia dhe që ishte vënë në ndjekje të tij. Menjëherë nga DVKM Vlorë, u morën masa dhe me mbështetjen e D.V.P. Vlorë dhe Delta Force dhe Guardia di Finanza, u ushtruan kontrolle nga deti dhe toka për personat që dispononin këtë mjet lundrues dhe që i kishin vënë flakën për t'i shpëtuar Policisë. Nga veprimet e para të kryera nga grupi hetimor rezultoi se mjeti ishte tip gomone, me gjatësi 12 metra, me dy motorë të markës Mercury" me fuqi motorike 350hp i cili në pjesën fundore ishte i djegur plotësisht ndërsa në bordin e mjetit vazhdonte të digjej një lëndë e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa. Në vendin përreth gomones gjendej e përhapur dhe në thasë plastike lëndë e dyshuar Cannabis Sativa dhe qese plastike të ambalazhuara me mbishkrime në gjuhën Italiane. Po gjatë kontrollit në një zonë të pyllëzuar u gjetën edhe disa pako të mëdha me lëndë narkotike. Përreth vendit ku u konstatua gomonia si dhe në zonën e pyllëzuar u gjet dhe u sekuestrua rreth 224 kg lëndë narkotike. Nga Policia po vijon krehja e zonës për kapjen e personave të dyshuar. Provat materiale të gjetura në vendngjarje u transportuan nga Mjeti i Delta Forcë dhe mjeti i Guardia di Finanza, për në Vlorë dhe ju kaluan për veprime të mëtejshme proceduriale Seksionit të Narkotikëve në D.V.P Vlorë. Po punohet për identifikimin e mjetit lundrues dhe të autorëve të kryerjes së kësaj vepre penale. Veprimet dhe verifikimet u bënë bashkë me Nuklin e Guardia di Finanza të Vlorës.



