
Rryma e ngrohtë e Atlantikut, e lidhur me ndryshimet e rënda dhe të papritura me klimën në të kaluarën, është aktualisht më e dobëta në të paktën 1 600 vjet, thuhet në një studim të fundit.
Gjetjet, të bazuara në prova shkencore, vënë në pikëpyetje parashikimet e mëparshme se një kolaps katastrofik i rrymës së Golfstrimit do të duhej të ndodhte shekuj.
Ky dobësim i rrymës do të thotë për Europën më shumë dimra me temperatura ekstreme. Ndërsa në SHBA, pasojat do të jenë ngritje e nivelit të detit në bregun lindor. Po ashtu, një tjetër efekt do të jetë edhe çrregullimi i regjimit të reshjeve jetësore tropikale. Studimi tregon se rryma është aktualisht 15% më e dobët se në vitin 400. Aktiviteti njerëzor ka një peshë të madhe në këtë dobësim.
Kjo rrymë zhvendos ujërat e ngrohta drejt veriut dhe polit. Kur mbërrin atje, kjo rrymë ftohet, bëhet më e dendur dhe bie poshtë ndërsa kthehet mbrapsht. Por ngrohja globale e pengon ftohjen e ujit, ndërkohë që shkrirja e akullit në Arktik, veçanërisht nga Groenlandë, përmbyt zonën me ujë të ëmbël më pak të dendur, duke e dobësuar rrymën.
Studimi është publikuar në revistën “Nature”. Ekspertët parashikojnë që ndryshimi i klimës do të vijojë ta dobësojë këtë rrymë, ndërsa pasojat do të jenë të rënda.
Një skenar i ngjashëm me atë që i druhen shkencëtarët është ai i filmit “The day after tomorrow”, i vitit 2004. Ekspertët thonë se filmi e hiperbolizon paksa fenomenin, pasi ndryshimet ekstreme nuk mund të ndodhin brenda pak ditësh.
Megjithatë, duke e krahasuar realitetin me disa vite më parë, ata thonë se dobësimi i rrymës ka shkaktuar tashmë ndryshime të mëdha dhe do të vijojë ta bëjë këtë. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



