Në vijim të vizitës zyrtare në Kinës, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe delegacioni parlamentar që e shoqëron, kanë zhvilluar një takim me ministrin e Burimeve Ujore të Kinës, Chen Lei, me të cilinë është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Burimeve Ujore të Republikës Popullore të Kinës dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë në fushën e administrimit dhe menaxhimit të integruar të ujërave.
Meta ka theksuar rëndësinë e përvojës së çmuar kineze në menaxhimin e burimeve ujore në funksion të zhvillimit të bujqësisë. “Përvoja e palës kineze në fushën e bujqësisë dhe administrimit të ujërave është shumë e dobishme për Shqipërinë, një vend me burime të shumta ujore dhe me prioritet kryesor për zhvillimin e bujqësisë”, tha Meta.
Gjithashtu, kreu i Kuvendit vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin e të dy vendeve në fushën e menaxhimit të ujërave, sidomos në drejtim të vaditjes, kullimit dhe parandalimit të përmbytjeve.
Ndërsa ministri i Burimeve Ujore të Kinës, Chen Lei, theksoi se Shqipëria është një vend me burime të pasura ujore dhe me potencial të lartë zhvillimi dhe mirëpriti ftesën e homologut shqiptar Panariti për të vizituar Shqipërinë duke e siguruar për mbështetjen e plotë të dikasterit që ai drejton.
Panariti i kërkoi ministrit të Burimeve Ujore të Kinës të dërgojë në Shqipëri një grup ekspertësh për të vlerësuar situatën e menaxhimit të burimeve ujore në vend dhe për të ndërmarrë hapat konkretë në zbatimin e memorandumin i cili u nënshkrua sot nga të dyja palët.



