Qendra për Sigurinë Kibernetike në Belgjikë nuk ka gjetur prova që mbështesin paralajmërimet amerikane, sipas të cilave gjiganti kinez i teknologjisë, Huawei, mund ta përdorë teknologjinë dhe pajisjet e tij për spiunazh në vendet e tjera.
Agjencia belge shqyrtoi kërcënimet e mundshme që mund të paraqesë Huawei, por nuk gjeti prova që mbështesin dyshimet për spiunazh nëpërmjet teknologjisë së ofruar nga kompania, e cila furnizon me pajisje telekomi operatorët belgë të telefonisë së lëvizshme, Proximus, Orange Belgium dhe Telenet.
Huawei është vënë në shënjestër në muajt e fundit nga Uashingtoni, i cili e akuzon se është kërcënim për "sigurinë kombëtare". Në veçanti, zyrtarët amerikanë kanë thënë se rrjetet 5G të kompanisë bëjnë të mundur spiunazhin kibernetik. SHBA madje ka kërcënuar se do të marrë masa ndaj vendeve që lejojnë Huawei të ndërtojë infrastrukturën 5G.
“Deri tani nuk kemi gjetur indikacione teknike që të na ojnë drejt ndonjë kërcënimi të mundshëm për spiunazh", tha të hënën një zëdhënës i agjencisë belge, duke shtuar se raporti përfundimtar nuk është përmbyllur ende.
Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar agjencitë federale të përdorin pajisjet e Huaëei-t. Ndalimi nxiti një padi nga Huawei, e cila pretendon se "kufizon Huawei-in nga angazhimi në konkurrencë të ndershme" dhe vëren se SHBA-ja "ka dështuar në paraqitjen e provave" për të justifikuar kufizimet e saj ndaj produkteve të kompanisë kineze.



