
Eksperti i IT-së Erion Demiri, për daljen e të dhënave për patentat nga hakerat iranianë, deklaron se siguria e gjithsecilit është shumë e prekur.
Duke folur nga studio e MCN Live, ai deklaroi se ishte e pritshme që të kishte të dhënë të tjera që do të dilnin, për sa kohë që nuk dihet se çfarë të dhënash nuk kanë në dorë.
Nuk është bërë asnjë transparencë se cilat institucione u prekën nga sulmet. Nga ato raporte kemi fakte se prej kohësh kemi pasur persona të paautorizuar me akses në këto server.
Kemi një video që tregon prekjen e një sasie të madhe serverësh. Duke mos pasur se çfarë të dhënash janë tërhequr nga këto servera dhe se këta persona mund të kenë pasur akses në këto të dhëna, me kalimin e kohës i tërheqin këto informacione.
Siguria e gjithsecilit është shumë e prekur. Janë të dhëna që merren, filtrohen dhe përdoren në disa forma që ato përdorin, u vendosen logo etj.
Kjo tregon se këta persona ato të dhëna i kanë. Për herë të parë kemi disa të dhëna mjekësore si grupi i gjakut dhe të dhëna të tjera biometrike si shenjat e gishtave, që ne japim kur aplikojmë për leje drejtimi të automjeteve.
Ndoshta lapsusi i tyre për herë të parë që kanë përdorur termin patentë, ndoshta ngatërrim në përkthim.
Ai cilësoi si një ndër shkaqet për daljen e të dhënave, paaftësinë e personave që kanë pasur detyrat, ndonëse nuk ka informacion të saktë.
Inventarizimi i dëmit nuk është bërë, ose nuk na është bërë ne i ditur. Nuk është bërë inventarizim i serverëve të prekur dhe asaj që mund të dalë.
Këto të dhëna që dalin na prekin të gjithëve. Ishte një listë me 58 mijë qytetarë, më e vogël se personat që kanë leje drejtimi në Shqipëri.
Por na jepen si informacione që ne i kemi dhe ne do e përshëndesnim me forcë faktin që institucione të ndryshme duhet të dilnin dhe të informonin popullatën dhe të duhet të kemi më kujdes, qoftë me rrjetet sociale, kur këta persona këto të dhëna i kanë.
Duhet të jenë qytetarët shumë më të kujdesshëm. Arsyet pse ka ndodhur mund të jenë nga më të shumëllojshmet.
Sistemet kanë të gjitha problematikat e veta, doli që në muaj me radhë kemi pasur persona të paautorizuar që nuk kemi asnjë lloj arsye të mendojmë se kjo ishte lista e fundit.
Sa i takon masave të marra për minimizimin e dëmit, Demiri vlerësoi urdhrin e Prokurorisë për ndalimin e publikimit të të dhënave që dilnin nga hakerat.
Ky urdhër mua më pëlqeu. Nuk mendoj te censura, por mendoj se jo gjithkush mund të kuptoj se çfarë mbajnë brenda këto të dhëna dhe për sigurinë.
Sa i takon a është bërë gjë tjetër për minimizin e dëmit nuk di ta them se çfarë bëjnë institucionet, a kanë kontakte me personat që kanë këto të dhëna, për të kuptuar se çfarë ata duan.
Këta nuk janë persona që e bëjnë këtë punë për para. Kemi të bëjmë me grupe shumë të strukturuara dhe pikësynime shumë më të mëdha se vlerat monetare.
Kemi dëgjuar se po bëhen procedura tenderimi dhe po aplikohen forma të reja. Po bëhet një tender nga AKSHI që flitet për nevojat tona për rritjen e sigurisë, po bëjnë procedurë tenderimi.
Gjë tjetër kanë vendosur të rritet goxha buxheti i pagave dhe pretendohet se nga viti 2023 personat që janë aty do të paguhen shumë më tepër për detyrën e tyre.
Ndoshta këto janë masat që kanë konsideruar të vlefshme, ose po ndodhën sulme të tilla të jenë me impakt më të ulët se tani.
Lidhur me hedhjen e më shumë parave në AKSHI, deklaron se nuk mendon se ajo që ndodhi, ndodhi për shkak të pagave, pasi personat që morën përsipër detyrën, e dinin se sa do paguheshin, pasi në të kundërt mund të mos e pranonin detyrën.



