
Gazetari Denis Dyrnjaja tha se reforma në drejtësi rezultoi një dështim total, për mënyrën se si u konceptua dhe u zbatua.
Duke folur në emisionin “Arnautistan” ai tha se duhet të kishte një qasje tjetër, ku gjyqtarëve t’u konfiskohej pasuria por të mbeteshin asete në sistem.
Është e gabuar reforma në drejtësi. E kam mbështetur shumë fort në fillimet e saj, por tani kam kuptuar që është një dështim total, edhe si u konceptua, edhe si u interpretua dhe zbatua. Psh. sot sistemi vuan nga juristë, gjyqtarë dhe prokurorë që s’kanë asnjë lloj eksperience. Kemi djegur asetet e sistemit. Janë hequr nga sistemi, pasurinë e gëzojnë. Sistemi u la në dorën e disa njerëzve që po veprojnë tani në mënyrë amatoreske. Në këtë kuptim, do ishte mirë që ligji duhet të kishte paraparë një qasje tjetër. Mustafa Nano, gjyqtar, 15 vjet, ka këtë pasuri, është aset si gjyqtar, sekuestroja, konfiskoja pasurinë, natyrisht duke e provuar që është e paligjshme, dhe i thua do vazhdosh të punosh për shtetin sepse e ke detyrim, dhe je nën investigim. Në qoftë se do bësh më një gabim, tani do shkosh në burg. Por jo ta heqësh nga sistemi sepse shteti ka investuar te ai! Është rritur profesionalisht. Ku do e mbështesësh sistemin?! Na ra sistemi. Na ranë të gjithë gjyqtarët e nivelit të parë, na ra Apeli, Gjykata Kushtetuese. Ose do pastrohen të gjithë, ose duhet lënë aseti i mirë, duke i marrë nën kontroll pasurinë dhe duke e mbajtur nën investigim. Midis burgut dhe të shkosh prapë në gjykatë kush është më mirë? Besoj është më mirë gjykata. Me paga shumë të mira, me paga dinjitoze. Nëse një gjyqtari mund t’i japësh 5 mijë euro në muaj, por të bëjë drejtësi ashtu siç duhet bërë drejtësia. I pari shkon ai në burg, ky është shteti. Kaq është drejtësia. S’ka nevojë për reformë, është e bërë reforma. Mjafton që të strukturohet logjika dhe interpretimi i ligjit. Të gjithë e shajnë reformën, ose e mbrojnë, por se si duhet nuk e thonë”.
Duke folur mbi veprimtarinë e SPAK-ut, Dyrnjaja tha se ata e kanë në dorë të pastrojnë habitatin e qelbur të politikës.
Dumani ka në dorë, jo vet personalisht por me të gjithë grupin, të ndryshojnë gjithë strukturën dhe rrugëtimin tonë, të pastrojnë habitatin e qelbur të politikës. Se provat janë këtu, nuk kanë ikur, nëse do i gjen. Në qoftë se ke ardhur në politikë me valixhe druri dhe pardesy të bardhë dhe sot ke tre vila, pasuri në konto bankare, më vjen keq por s’na del llogaria. Ma justifiko si të del kjo vila! Edhe Berisha, edhe Rama, edhe Meta, të gjithë që kanë pasur pushtet le të përballen me drejtësinë. Nëse dalin të pafajshëm bravo u qoftë. Këta luajnë me idenë që votohemi, po votoheni sepse luani me të mirën materiale. Rrethi i punësimit është aq i ngushtë, saqë këta të PD presin që të rrëzojnë këta nga pushteti dhe të hyjnë në Tatime, etj...Kështu perceptohet pushteti në Shqipëri, jo si shërbim, por si përfitim. Nëse i merr në të njëjtën kohë, të nesërmen kur të dalin lajmet e gazetave, Shqipëria, njerëzit do ndihen sikur kanë rifituar demokracinë nga e para. Këta na kanë futur në një paranojë psiqike ku ne po shohim si armiq njëri-tjetrin!”.



