Misionin e qeverisë për kthimin e shqiptarëve që kanë mbetur jashtë kufijve, gazetari Klodian Tomorri e sheh më shumë si një monopol të ngritur mbi kompaninë e fluturimeve Air Albania, sesa një nismë me qëllime humanitare. Në një lidhje Skype me studion e lajmeve në TvT, Tomorri tha se nuk mund të flitet për humanizëm kur qytetarët shqiptarë detyrohen të kthehen duke paguar biletën dhe hotelin-karantinë për dy javë.
“Nuk mund të quhet mision humanitar kur paguajnë para. Është një sistem për që ngjan si monopol ekonomik i ngritur mbi Air Albania, që ka marrë rolin e agjencisë ajrore, agjencisë turistike etj. Është një skemë e çuditshme që nuk ka precedent. Ata qytetarë që kanë mbetur jashtë dhe mund të kenë qenë pa të ardhura për shkak të qëndrimit të gjatë, do të paguajnë jo vetëm biletën e kthimit, por edhe karantinën”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me rritjen e të papunëve për shkak të situatës së koronavirusit, Tomorri tha se shifra mund të shkojë shumë përtej 55 mijë që përllogaritet të jenë aktualisht.
“55 mijë të larguar nga 12 marsi. Mendoj që shifra do të shkojë më lart sepse ka pasur pritshmëri nga biznesi. Ajo që kanë deklaruar shoqatat e biznesit është se do të largohen edhe 30 mijë punonjës të tjerë. Nuk e di nëse është mjet presioni ndaj qeverisë apo diçka që do të ndodhë me të vërtetë. Por shuma është e sigurt se do të rritet”, tha ai.
Në lidhje me sezonin turistik këtë vit, Tomorri parashikon shifra minimale, rrjedhimisht edhe të ardhura minimale nga ky sektor.
“Do të kemi një sezon turisitik minimal. Nuk ka për të pasur flukse turistësh, si rrjedhojë edhe më pak të ardhura”, tha ai.



