Avokati Ili Gërdupi, i ftuar në “MCN Economy”, foli për humbjen e Shqipërisë në arbitrazh ndaj biznesmenit Francesco Becchetti dhe vendimin e Gjykatës së Parisit për ekzekutimin e gjobës prej 110 milionë eurosh. Sipas Gërdupit, e vetmja mundësi për mos pagimin e gjobës do të ishte pengimi i ekzekutimit në vendet ku Shqipëria ka asete. Në Francë janë gjetur asete të ekzekutueshme, por nuk dihet nëse plotësohet detyrimi i plotë, kësisoj Becchetti do kërkojë pika nevralgjike të shtetit shqiptar në këtë vend.
“Vendimet e Arbitrazhit janë të paapelueshme në thelb të çështjes. Ajo që mund të bëhet dhe çfarë ka ndodhur në Gjykatën e Parisit, dhe ka ndodhur më përpara edhe në Bruksël dhe vende të tjera ku shteti shqiptar ka asete ka të bëjë me pengime që i bëhen ekzekutimit të detyrimit. Ajo që diskutohet është mekanizmi për t’i tërhequr këto para. Mekanizmi më i drejtpërdrejtë do kishte qenë që vendimi i Arbitrazhit të ishte njohur nga Gjykata e Apelit të Tiranës dhe të merrte një përmbarues shqiptar dhe t’ia ekzekutonte këtë detyrim Ministrisë së Financave, gjë që s’do ndodhte kurrë, sepse ka një vendim penal në Shqipëri ndaj z. Becchetti.
Për shtetin shqiptar ky vlen si mekanizëm ligjor për të mos ta ekzekutuar detyrimin sepse thotë që vendimi i Arbitrazhit është marrë mbi një dokument të falsifikuar dhe vepër penale. Ato janë të ardhura të një vepre penale dhe s’e ekzekutojmë. I njëjti argument me sa duket s’ka vlejtur për Gjykatën në Paris, dhe kjo ka çuar që mos pranohet refuzimi për ekzekutimin e këtij detyrimi. Kjo vlen për ato asete që shteti shqiptar ka në shtetin e francez, siç kishte në Belgjikë të ardhurat që merrte për Albcontrol-it. Në Francë mesa duket kanë gjetur disa asete që janë të ekzekutueshme. Kjo vlen vetëm për asetet e shtetit shqiptar në Francë.
A arrijnë ta përmbushin detyrimin? S’e di. Nëse e përmbushin, do ishte fundi i kësaj historie. Shteti shqiptar është shpesh në pozita më të dobëta, duke e lënë palën tjetër në pozita më dominante. Largimi nga Gjykata e Arbitrazhit do na nxirrte nga organizata botërore tregtisë, që do kishte pasoja për shtetin shqiptar, që s’do na bënin tërheqës për asnjë investitor të huaj. Nëse shuma që do ekzekutohet në shtetin francez, nuk e plotëson detyrimin, Becchetti do kërkojë pika nevralgjike ku shteti shqiptar mund të ketë asete që të jenë të ekzekutueshme”.



