
Aktivistët e klimës në Portugali mblodhën rreth 650,000 bishta cigaresh dhe i grumbulluan në zemër të kryeqytetit të Portugalisë, Lisbonës, në një përpjekje për të theksuar faktin se ato nuk dekompozohen.
“Problemi kryesor me bishtat e cigareve është se ato nuk janë të biodegradueshme, ato përmbajnë një formë plastike dhe, akoma më keq, shumë toksina, metale të rënda dhe kimikate”, shpjegoi Andreas Noe, aktivisti gjerman pas nismës.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 4.5 trilion cigare hidhen çdo vit në mbarë botën. Noe grumbulloi bishtat e cigareve në Praça do Comércio të famshme të Lisbonës. Ai tha se 650,000 bishtat u mblodhën në vetëm një javë.

Bishtat përmbajnë një "formë plastike dhe akoma më keq, shumë toksina, metale të rënda dhe kimikate. Nën shi, të gjitha ato toksina dalin nga bishtat e cigareve dhe shkojnë drejt e në rrugë... dhe për shembull, këtu, ne jemi pranë lumit Tagus dhe ai të çon drejt e në oqean”.
Noe u vendos në Portugali gjashtë vjet më parë dhe më pas hoqi dorë nga karriera e tij (ai është një biolog molekular) për t’u fokusuar vetëm në mbrojtjen e mjedisit. Dy vjet më parë ai arriti të mbledhë rreth një milion bishta cigaresh për dy muaj.
“Ne duam t’i japim fund këtij problemi duke i nxitur njerëzit të hedhin bishtat e cigareve në koshin e plehrave, kudo tjetër përveç tokës”, tha David Figueira, një nga pjesëmarrësit në mobilizim.




