Çfarë është pushteti? Në matematikë, fuqia është treguesi i aftësisë së një numri për të shumuar vetveten. Sa më i madh të jetë numri, aq më tepër shumëzohet dhe aq më i madh është rezultati.
Në këtë kuptim, Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama ka arritur që prej vitit 2013 të grumbullojë pushtet rreth vetes në numër votash. Në zgjedhjet e vitit 2013 koalicioni opozitar i udhëhequr prej saj mblodhi 713 mijë vota. Në 2017-n e vetme, Partia Socialiste mori 764 mijë vota të cilat prodhuan 74 mandate.
Në prill të vitit 2021, PS votëbesohet me 768 mijë dhe në vitin 2025 bashkë me diasporën ajo arrin të marrë 856 vota të cilat i dhanë përfaqësim me 83 mandate në Kuvend.
Partia Socialiste ka hyrë në vitin e saj të 14-të të qeverisjes. Që pas fitores së zgjedhjeve në 2013-n, drejtimi i partisë dhe ekzekutivit ka qenë vetëm nga një njeri: Edi Rama.
Në zgjedhjet e vitit 2025, socialistët arritën të marrin 83 mandate në Kuvendin e Shqipërisë dhe të kenë aleat Partinë Social Demokrate e cila përfaqësohet nga 3 deputetë. Kjo fitore historike i jep të drejtë që të ndryshojë jo vetëm ligjet pa hyrë në marrëveshje me opozitën, por dhe Kodet të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar.
Socialistët sot kontrollojnë pushtetin vendor në 55 bashki të vendit nga 61 në total, kanë emëruar shumicën e institucioneve të pavarura, përfshirë Presidentin dhe Avokatin e Popullit.
Në mandatin e parë Partia Socialiste ndau qeverisjen me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Shumica e emërimeve në institucionet e drejtësisë ishin bërë nga kur ata ndodheshin në opozitë, presidenti ishte zgjedhur nga demokratët dhe drejtimin e bashkisë më të madhe të vendit, Tiranës, deri në 2015-n e kishte opozita.
Zgjedhjet e vitit 2017 i dhanë Edi Ramës mundësinë për të qeverisur i vetëm, pa aleatë. Gjatë këtij katër vjeçari ai konsolidoi pushtetin në emërimet e krerëve të shumë institucioneve, përfshirë ato të drejtësisë së reformuar.
Bojkoti i Kuvendit nga opozita, i mbyllur me dorëheqjen nga mandati të deputetëve të saj, bëri që partia në pushtet të dominojë vendimarrjen, të emërojë shumicën e anëtarëve të komisioneve që do të vettonin gjykatësit e prokurorët dhe të kishte të drejtë pa hyrë në negociata me palët politike për të ndryshuar ligjet zgjedhore, kodin penal dhe emërimet në institucionet e pavarura. Në vitin 2019 socialistët morën të gjitha bashkitë për shkak të bojkotit të zgjedhjeve.
Pavarësisht kësaj, Presidenti ishte në opozitë dhe Avokati i Popullit ishte zgjedhur nga opozita. Ilir Meta ktheu me dhjetëra nisma ligjore për rishqyrtim dhe bëri betejë të gjatë për emërimet në sistemin e drejtësisë.
Mandati i tretë do të zgjeronte më tej pushtetin e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste dhe në kontrollin e institucioneve që balancojnë vendimmarrjen.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë është emëruar nga socialistët, Prokurori i Përgjithshëm nga ata, kreu i Inspektoriatit të Kontrollit të Pasurive nga socialistët, shumica e anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë të Partisë Socialiste, ndërsa kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka qenë një marrëveshje mes PS dhe ish-Presidentit Ilir Meta.
Pra, një pjesë e institucioneve që kontrollojnë drejtësinë, pasurinë e politikanëve, shkeljet e administratës dhe garantojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve janë të partisë në pushtet.
Jo vetëm kaq.
Guvernatori i Bankës Qëndrore dhe shumica e anëtarëve të bordit të saj janë zgjedhur nga socialistët.
Anëtarët e Komisionit të Konkurrencës dhe kreu i Autoritetit të Konkurrencës është zgjedhur nga PS, bashkë me drejtuesit e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Tregtare, kreun e Entit Rregullator të Energjisë dhe anëtarët e bordit të tij, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bashkë me anëtarët dhe kreu dhe anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik, që njihet ndryshe si gjykata e tenderave.
Këto institucione mbikëqyrin tregjet për të eliminuar praktikat abuzuese ndaj qytetarëve dhe kompanive dhe garantojnë konkurrencën e lirë.
Jo vetëm në këtë mandat por dhe më parë, socialistët kanë patur shumicën e emërimeve në këshillin drejtues dhe drejtorin e televizionit publik dhe autoritetit të mediave audiovizive.
Sipas raporteve të organizatave të medias, shumica e tregut mediatik kontrollohet nga pak pronarë dhe familje, të cilat rezultojnë se kanë lidhje ekonomike me pushtetin, jo vetëm në përfitimin e drejtëpërdrejtë të kontratave, por dhe lejeve dhe licencave. Është fakt, që të tre televizionet kombëtare në vend që zënë 80% të audiencës kanë marrë statusin e investitorit strategjik në projekte ndërtimi.
Dhe pse më të lira, edhe në mediat online dhe rrjetet sociale sheh dorën e zgjatur të pushtetit. Kjo mund të ilustrohet më së miri jo vetëm me urdhrat që merr administrata publike për të pëlqyer dhe shpërndarë mesazhet dhe daljet publike të kryeministrit dhe njerëzve të tij, por dhe në investimet në skuadra ‘trolls’ të cilët komentojnë dhe relativizojnë publikimet kritike.
Kjo logjikë u përforcua me krijimin nga Partia Socialiste të aplikacionit Aktivisti, i cili rendiste me pikë regjistruesit në bazë të komenteve, shpërndarjeve dhe pëlqimeve që bënin për zyrtarët e saj në rrjetet sociale. Aplikacioni iu rekomandua administratës publike.
Një nga filozofët postmodernë politikë, Michel Foucault i njohur për analizën e marrëdhënies mes pushtetit, dijes dhe lirisë, të përdorura si forma të kontrolit social, ka një nga tezat kryesore se pushteti dhe dija nuk janë të ndara dhe të pavarura nga njëra -tjetra, përkundrazi ato bashkëveprojnë thellësisht. Pushteti krijon atë që duhet si njohuri ose e vërtetë, dhe njohuria përdoret për të riforcuar pushtetin.
Por si duhet parë kjo marrëdhënie?
Në shumë vende dija është përdorur për t’i dhënë pushtet shoqërisë, çka më pas ka sjellë zhvillim ekonomik, prosperitet dhe më shumë liri dhe të drejta për qytetarët. Në vende të tjera, më pak demokratike apo në sistemet totalitare dhe autokratike, dija përdoret për të forcuar pushtetin e elitës.
Në rastin e Shqipërisë, nëse do të analizojmë informacionin, dijen dhe njohuritë, ato janë orientuar drejt forcimit të pushtetit të elitës. Ajo që ka ndodhur sidomos në zgjedhjet e fundit, është eliminimi i meritokracisë në bazë të njohurive dhe aftësive të përfaqësuesve në Kuvend si Zeqine Çaushi, e cila nuk di të shpreh një numër përtej 3 shifrave dhjetore apo Sara Mila, një e re e cila mori në zgjedhjet e fundit 30 mijë vota për Partinë Socialiste. E diplomuar në Shkenca Politike, Sara e ka pranuar publikisht që i mungon formimi bazë në aritmetikë.
Dhjetëra përfaqësues të Partisë Socialiste nuk njihen dhe as nuk kanë spikatur për arritje në fusha të ndryshme. Njësoj dhe me anëtarët e qeverisë. Ndër vite, ridikulizimi i mandatit të deputetit është kthyer në normalitet.
Sistemi i vlerave të përfaqësuesve të popullit u kthye përmbys. Anëtarë të tij u bënë persona me të shkuar kriminale, të akuzuar për bashkëpunim me krimin e organizuar dhe të pasuruar përmes trafikut të lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore.
Prej vitesh Edi Rama ka zhdukur vendimmarrjen dhe konsultimet në parti për hartimin e listave zgjedhore, kandidatët për bashkitë apo ekipin qeverisës. Shumixa e anëtarëve të ekzekutivit janë njohje të vjetra të tij, që nuk kanë një karrierë politike në parti.
Deri më sot kritikat nga vetë socialistët e vjetër dhe në forume drejtues kanë munguar, me përjashtim të termit “drejtorokraci” që mund të jetë përmendur nga disa deputetë si Erjon Braçe, Elisa Spiropali apo asaj të larguar nga PS, Marjana Koçeku.
Cilët janë drejtorët që kanë sjellë pakënaqësi mes rrethit të socialistëve? Le të marrim modelin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Që pas marrjes së drejtimit vetëm dhe pa aleatë, kjo agjenci menaxhoi fondet më të mëdha të buxhetit. Drejtori i parë në qeverinë socialiste, i emëruar nga marrëveshja me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Dashamir Xhika, u arrestua për korrupsion për aksin Elbasan- Gjinar. Drejtuesi që e pasoi, Afrim Qëndro u përfshi në aferën DH Albania, ku një kompani me dokumente të falsifikuara si amerikane fitoi tenderin 20 milion euro për të ndërtuar një lot 2 kilometra të Unazës së Madhe.
Sonila Qato u kallëzua në SPAK nga një kompani konkurrente në tenderin Kardhiq – Delvinë për moszbatim të vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik. Pas një beteje të gjatë Qato u dënua me 6 muaj burgim nga Gjykata e Shkallës së Parë, ndërsa Apeli e shpalli të pafajshme.
Pas saj drejtimin e pasoi Ergys Verdho, sot nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera. Pas tij drejtimin e mori Evis Berberi, i arrestuar për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave dhe shkelje të barazisë në tendera. Ai u pasua nga Gentian Gjyli, sot në masë sigurie për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Shumica e profileve të drejtuesve të këtij autoriteti nuk lidhen me aftësinë e tyre. Sistemi i karrierës dhe meritokracisë është kthyer përmbys. Nëse më parë sëmundja e drejtuesve të administratës ishte politizimi partiak, së fundi është shpejtësia e marrjes së urdhrave dhe bindja ndaj tyre.
Gangrena e abuzimeve publike nuk është e kufizuar vetëm në këtë institucion, por është shtrirë në dhjetëra të tjerë që menaxhojnë fonde publike. Rasti i aferës së inceneratorëve dëshmoi përfshirjen dhe shkeljet e dhjetëra zyrtarëve në institucione të ndryshme të marrë të pandehur ose jo për këtë aferë.
Edhe bashkitë, siç është rasti i hetimeve për skemën 5D Konstruksion zbuloi të dhëna tronditëse, se si drejtuesit e institucioneve hapnin vetë kompani dhe ia jepnin tenderin.
Skandalet kanë shoqëruar vitet nivelet më të larta të mazhorancës.
Ish -ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është dënuar me vendim të formës së prerë për shpërdorim detyre në çështjen Habilaj. Ai kishte fillimisht akuzën për trafikim të lëndëve narkotike dhe korrupsion.
Kanabizimin e vendit e ka pranuar dhe ish-zvëndës Kryeministri Arben Ahmetaj në disa intervista mediatike nga Zvicra ku po qëndron në azil. Mbi Ahmetaj rëndojnë akuzat e korrupsionit për favorizim të biznesmenëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në çështjen e incenratorëve. Për inceneratorët është dënuar dhe ka vuajtur dënimin dhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka.
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është nën akuzë për abuzim me fondet e Agjencisë së Programit Strategjik dhe shpërdorim detyre në koncesionin e sterilizimit.
Dhjetëra kryetarë bashkish të drejtuara nga socialistët ndodhen nën akuzë ose janë dënuar për afera të ndryshme. Vangjush Dako, Safet Gjici, Fatos Tushe, Lefter Alla, Fran Tuci, Edison Memolla, Erion Isai, Benet Beci, Jorgo Gorodhe Kreshnik Hajdari. Kryetari i bashkisë Tiranë Erion Veliaj është në masën e arrestit për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Dy deputetët socialistë Klotilda Bushka dhe Plarent Ndreca janë nën hetim, bashkë me dy ish-ministret Olta Xhaçka dhe Ogerta Manastirliu.
Një vit më parë SPAK mori të pandehur ish-zëvendës Kryeministren Belinda Balluku për shkelje të barazisë në tendera, ndërsa janë shtuar dhe akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Balluku akuzohet se dirigjoi dhe paracaktoi fituesin në tenderin e tunelit të Llogarasë duke i shkaktuar buxhetit një dëm me vlerë 30 milion euro, para që janë ndarë si dividend i pastër nga kompanitë turke që morën kontratën.
Në hetimet e Ergys Agasit, zinxhiri përgjegjës shkoi deri te drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Informacionit Mirlinda Karcanaj dhe kreytarja e SHISH Vlora Hyseni. Ky hetim zbuloi lidhjet e krimit të organizuar me politikën, ku jo vetëm merrnin mbrojtje, por kishin pushtuar një treg të madh të prokurimeve publike, atë të fushës së IT-së. Hetimet ngritën shqetësime për përdorimin e të dhënave personale të shqiptarëve nga grupet kriminale të lidhura me Agasin.
Në të gjithë këto skandale, numrat e Partisë Socialiste në vota tregojnë për një mazhorancë më të fortë se kurrë. Ky paradoks social dukej i pa shpjeguar derisa në verë ndodhi kjo:
Pas një incidenti në protestën e Zvërnecit, zonë ku projektohet të ndërtohet një resort i lidhur me kompani të dhëndrit të Presidentit Amerikan Donald Trump, Jared Kushner, për muaj me radhë qytetarët pushtuan sheshet e kryeqytetit, ndërsa protesta pati dhe në qytete të tjera të vendit dhe shtete ku jeton diaspora.
Të qetë në protestat e tyre, protestuesit nuk arritën të marrin asgjë nga ato që kërkuan.
Kërkesat ishin politike, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, dorëheqjen e Edi Ramës dhe emërimin për 1 vit të një qeverie teknike që do të garantonte një proces të rregullt zgjedhor.
Ato ekonomike dhe mjedisore kërkonin shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike, heqjen e ndryshimeve në ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit të cilat i hapën rrugë ndërtimit në zonat e mbrojtura dhe anulimin e projektit në Zvërnec.
Asnjë kërkesë nuk u plotësua. Në vjeshtë, protestën e morën në dorë studentët. Kërkesat e tyre fillimisht ekonomike, u kthyen në politike. Ata denoncojnë një sistem të kapur i cili nuk i garanton treg pune, ka rritur kostot e jetesës dhe ka kthyer për grupmoshën e tyre strehimin në sfidë.
Vështirë të bësh sot përgjegjës dikë tjetër, kur për më shumë se 13 vendi është drejtuar nga një mazhorancë e pastër e Edi Ramës e cila ka patur në dorë të miratojë politikat për të ukur pabarazinë dhe rishpërndarë në mënyrë të drejtë të ardhurat, ndërsa shuma e institucioneve që garantojnë konkurrencën dhe mbikëqyrin abuzimet në treg janë emëruar nga socialistët.
Nëse fuqia në matematikë shihet si aftësia për të shumuar sa më shumë veten, në fizikë, pushteti është rezultati i një pune të kryer, energjisë që shndërrohet ose që konsumohet duke llogaritur kohën. Sa më shpejt arrin një objektiv, aq më i madh është rezultati i fuqisë.
Në listën e premtimeve, programeve dhe angazhimeve të marra, vendimet dhe zbatimi i ligjit kanë favorizuar vetëm një pjesë të shoqërisë: biznesin e madh, operatorët e tenderave, drejtuesit në administratën publike, bandat kriminale.
Pjesa e të rinjve dhe të moshuarve vazhdojnë të jenë të diskrimunuar, një pjesë largohen dhe të vjetrit mbahen me dërgesat e tyre. Ky rreth vicioz ka sjellë atë që dy nobelistët Daron Acemoglu dhe James Robinson e shihnin si shkakun përse kombet dështonin: përqendrimin e pasurisë në dorën e një elite në vend që të shpërndarjes së saj. Rastet në histori janë të shumta, te rënia e Perandorisë Otomane, Ruse apo Hasburge, përballë zhvillimit ekonomik që morën shtete të tjera si Britania e Madhe që përqafuan revolucionin industrial.
Liderët e fortë në Ballkan vitet e fundit kanë treguar se në kohën kur janë bërë më shumë të fuqishëm se ndonjëherë, vota popullore i ka ndëshkuar. Ky ishte rasti i Nikola Gruevskit në Maqedoninë e Veriut, dhe Milo Gjukanoviç në Mal të Zi dhe Viktor Orban në Hungari.
Së fundmi një tjetër pushtet i gjatë dhe i përqendruar u largua nga Duart e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe shkoi në Duart e Listës Studentore, të zgjedhur nga protestat 2-vjeçare që studentët nisën në Serbi./ Kronos



