
Këshilli i Ministrave miratoi dje ndryshimet në pr/ligjin për lojrat e fatit, ku u hapet rrugë basteve sportive Online. Sipas projektligjit, të drejtën për ta ushtruar këtë aktivitet e kanë jo më shumë se 10 operatorë. Sa i takon përzgjedhjes së subjekteve thuhet se ajo dtë bëhet nga Komisioni i Licencave. Në draft thuhet se operatorët aplikues duhet ta kenë selinë brenda territorit të vendit, të jenë të regjistruar në QKB, në objektin e veprimtarisë për lojëra fati në kategorinë “Baste sportive on-line”. Shuma e kapitalit duhet të jetë jo më pak se 40 000 000 lekë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e ulët për të tërë periudhën e vlefshmërisë së licencës. Subjekti duhet të deklarojë burimin e kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë. Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të tij të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet. Gjithashtu, subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 000 000 000 lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit. Përfituesve të licensës, do t’u mbahet çdo vit 15% e të ardhurave të cilat parashikohet të shkojnë për financimin e projekteve ne fusha të ndryshme. Bastet do të luhen përmes faqeve në internet, aplikacioneve apo platformave elektronike të dedikuara, të cilat do mbikëqyren nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojrave të fatit. Po ashtu përcaktohet detyrimi i regjistrimit paraprak të çdo lojtari që do të marrë pjesë në baste sportive online si dhe të marrë e të ruajë të dhëna për identitetin e tyre për të paktën 3 vjet. Ruajtja e këtyre të dhënave të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Do të jetë AMLF që do të mbajë një një regjistër elektronik të personave për të cilët është vendosur moslejimi për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit. Sistemi ku do të zhvillohen lojërat “bastet sportive on-line duhet të operojë mbi një server të monitorueshëm online nga AMLF-ja. Regjistri elektronik do krijohet me VKM, dhe do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë organizatorët e lojës së kategorisë përkatëse.



