
Debate të forta janë regjistruar në radhët e Partisë Demokratike, ku kryetari Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj ish-deputetit Ervin Salianji gjatë një takimi me demokratët.
Berisha deklaroi se Salianji nuk përfaqëson demokratët dhe e akuzoi atë për lidhje me persona të përfshirë në krimin e organizuar, duke përmendur edhe emra të ndryshëm dhe pretendime për takime e dreka me individë të kërkuar nga drejtësia.
Ai shtoi gjithashtu akuza lidhur me grupe të caktuara në Elbasan dhe ndikime të pretenduara në strukturat lokale të partisë.
Vijoi akuzat se Salianji ka ngrënë dreka me Ergys Agasin, në kërkim nga SPAK, ndërsa u ndal edhe tek foltoret në Elbasan, ku akuzoi se ia mbushi Suel Çela.
Nga ana tjetër, Salianji ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Berishës, duke i cilësuar ato si shpikje të qëllimshme për të shmangur, sipas tij, dështimet politike.
Ai ka akuzuar gjithashtu një pjesë të lidershipit të PD-së për humbje të besimit publik dhe mungesë vizioni politik, duke theksuar se nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pjesë e “pazareve politike”.
Salianji ka vijuar me akuza të drejtpërdrejta ndaj Berishës, duke e cilësuar përgjegjës për situatën aktuale në parti dhe duke e sfiduar të përballet në garë të hapur politike.
Përgjigje Sali Kolltukut; 36 vite në pushtet në kurriz të demokratëve i kanë krijuar mendësinë që kushdo ka detyrim të jetë skllav i tij.
Nuk ka asgjë më të vjetër në politikë sesa kur dikush që ka humbur lidhjen me realitetin përpiqet të shpikë armiq për të fshehur frikën nga gara.
Të më krahasosh me këdo tjetër është mënyra më e lehtë për të shmangur thelbin: sot problemi nuk janë demokratët që duan fitore, por fakti që një pjesë e lidershipit ka humbur besimin e njerëzve dhe po i trembet çdo zëri ndryshe.
Unë nuk kam përfunduar në “krahët” e askujt. Isha dhe jam i lirë, siç edhe sot po them atë që të gjithë mendojnë: e përbuzin Sali kolltukun për uzurpimin që i ka bërë Partisë Demokratike, por e shajnë me rrënjë e degë vetëm në tavolina. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve. Kam qenë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij. Dhe për këtë kam paguar çmim personal.
Ata që sot flasin për “fate” të të tjerëve duhet të shohin fatin e tyre politik: një lidership që nuk frymëzon më, që nuk fiton më dhe që i shmanget çdo përballjeje reale.
Kur nuk ke përgjigje për dështimin, shpik histori.
Kur nuk ke mbështetje, sulmon këdo që ngrihet.
Të kuptoj që unë jam problemi yt, sepse me Ramën je ulur këmbëkryq për reforma, je ulur për leje, licenca, koncesione, përfitime. Dil e fol për Ermal Beqirin, për lejet e familjarëve të tu në Lalëz, në gjysmën e Tiranës, në jug e kudo në Shqipëri.
Sa për gysrat, pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim. Për Olti Gjoken që përmend, t’i themi disa gjëra: kur erdhe në burg, nuk erdhe të më takoje mua, por kërkove të takoje këta. Nuk është faji im që edhe këta i kishe gënjyer dhe nuk të dolën në takim.
Lulzim Bashën e solle e mbajte dhe ta fali partinë. Me mua i ke bërë hesapet gabim: do të çmontoj ty dhe autokratin e qeverisë. Regjimi Rama-Berisha është i përbuzur nga shqiptarët! Dhe meqë ke mbështetje, dil në garë, mos u fshih si frikacak.



