Një 37-vjeçar turk është autori i sulmit të armatosur në Utreht të Holandës. Policia holandeze konfirmoi identitetin e tij dhe paralajmëroi banorët e zonës të bëjnë kujdes, sepse ai është ende i lirë.
Gökman Tanis, i lindur në Turqi, është shpallur në kërkim nga policia holandeze, e cila kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e tij.
Tre të vrarë dhe disa të plagosur në Holandë, dyshime për sulm terrorist
Tre persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një ngjarje që ka karakterstikat e një sulmi terrorist, në stacionin qendror të tramvajeve në Utreht, Holandë.
Lajmin e ka konfirmuar policia holandeze, sipas të cilës dyshimet kryesore të çojnë drejt një sulmi terrorist.
Kryeministri Mark Rutte tha se është "thellësisht i shqetësuar" dhe se qeveria do të mblidhet në përgjigje të këtij rasti. Radioja holandeze tha se siguria është rritur në selinë e qeverisë në Hagë.
"Disa të shtëna u qëlluan në një tramvaj dhe disa njerëz u plagosën. Helikopterë janë në vendin e ngjarjes dhe nuk janë bërë arrestime", tha zëdhënësi i policisë, Joost Lanshage.
Policia nuk mundi menjëherë të japë detaje të mëtejshme rreth incidentit të të shtënave dhe nuk dha informacion për gjendjen e të plagosurve.
Një njësi anti-terroriste dhe shërbime emergjente janë në vendin e ngjarjes rreth kryqëzimit 24 Oktoberplein, ku stacioni i tramvajit është mbyllur. Tre helikopterë u dërguan në zonë pas ngjarjes, që ndodhi rreth orës 10:45.
Frika e sulmeve me natyrë terroriste është shtuar pas sulmeve të javës së kaluar në Zelandën e Re, ku një supremacist i ekstremit të djathtë hapi zjarr në dy xhami duke vrarë 50 njerëz.



