
Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për të kërkuar bashkëpunim me AMA-n dhe AKEP-in, me qëllim “ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve” në media, ka shkaktuar reagime të forta dhe shqetësim në opinionin publik dhe mediatik.
Gazetari politik Mariglen Kume, në një prononcim për “MCN Live”, e konsideroi këtë vendim si një hap të gabuar që cenon lirinë e shprehjes dhe të medias, në vend që të adresojë problemet reale të sistemit të drejtësisë.
KLGJ dhe KLP shpesh nuk arrijnë të përmbushin detyrimet e tyre, por përpiqen të shmangin përgjegjësinë duke e spostuar fajin tek mediat.
Nëse këto institucione do të bënin punën siç duhet, nuk do të kishim qytetarë që trokasim çdo ditë në dyert e tyre për drejtësi. Një qytetare e moshuar shkon çdo ditë në zyrën e Inspektoratit të Drejtësisë për një datë gjyqi mbi çështjen e pensionit të saj. Media nuk është pengesë për këtë.
Problematika reale është ngërçi institucional dhe mënyra jo transparente e funksionimit të këtyre “këshillave të mëdhenj”.
Gazetari Kume vuri në dukje se shumë pozicione në sistemin e drejtësisë janë ende të pambuluara ose të mbuluara përkohësisht, dhe kjo nuk është përgjegjësi e medias.
Ka ende prokurori pa drejtues, gjykata pa emërime të plota. Pse? Media nuk i ka ndaluar KLGJ-në dhe KLP-në të bëjnë emërimet e tyre.
Atëherë pse duhet media të bëhet ‘problemi’? Nuk ka asnjë arsye.
Në vend që të kërkojnë bashkëpunim me autoritete të tjera për “kontroll të gjuhës”, KLGJ dhe KLP duhet të rrisin transparencën, integritetin dhe llogaridhënien publike.
Në një shtet demokratik, media nuk mund dhe nuk duhet të shihet si armik. Kritikët nuk duhen heshtur, por dëgjuar.



