
Olivia Newton-John, këngëtarja dhe aktorja australiane, e cila luajti në Grease përkrah John Travolta, ka vdekur në moshën 73-vjeçare. "Znj. Olivia Neëton-John (73) vdiq në mënyrë paqësore në fermën e saj në Kaliforninë Jugore këtë mëngjes, e rrethuar nga familja dhe miqtë," njoftoi John Easterling, bashkëshorti i saj, në faqen e saj zyrtare në Facebook. “I kërkojmë të gjithëve që të respektojnë privatësinë e familjes në këtë kohë shumë të vështirë”.
Olivia, ikonë e një brezi, ka luftuar me kancerin e gjirit për më shumë se 30 vjet. Edhe pse shkaqet e sakta të vdekjes nuk dihen, një burim i afërt me aktoren tha për TMZ: “Pas 30 vitesh udhëtim kundër kancerit, ajo humbi betejën”.
Aktorja dhe këngëtarja zbuloi në shtator 2018 se po trajtohej për kancerin e shtyllës kurrizore, diagnoza e tretë pas dy trajtimeve për kancerin e gjirit, në vitet 1990 dhe 2017. Olivia Neëton John ishte këngëtare e famshme kur në vitin 1978 u thirr nga John Travolta për të luajtur Sandy, një studente australiane që u shpërngul në SHBA dhe ra në dashuri me shokun e shkollës, Danny. "Grease" është ndoshta muzikali më i njohur e të gjitha kohërave.



