Të paktën 15 trupa janë zbuluar brenda varreve klandestine në Chiapas, shteti juglindor meksikan i rrënuar nga një përshkallëzim i dhunës i lidhur me krimin e organizuar, njoftoi guvernatori lokal.
Në një mesazh në rrjetin social X, Eduardo Ramirez detajoi një operacion për të rivendosur sigurinë në rajonin Frailesca, një zonë bujqësore jo shumë larg Guatemalës e cila është paralizuar prej tre vitesh nga grupet kriminale.
“Fatkeqësisht, deri më tani janë gjetur 15 trupa në varreza klandestine, brenda pronave”, shkruan zyrtari, duke raportuar për katër persona të arrestuar dhe sekuestrim të armëve, automjeteve dhe drogës.

Guvernatori nuk specifikoi nëse të arrestuarit ishin të përfshirë në vdekjen e 15 personave të varrosur.
Shteti Chiapas është përshkruar nga inSight Crime si “një qendër e madhe kontrabande droge dhe emigrantësh”.



