
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka paralajmëruar ndërrimin e më shumë se një të tretës së ministrave të kabinetit qeveritar, që do të nënkuptonte nevojën për votimin e gjithë qeverisë në Kuvend.
Këshilli qendror i LSDM-së ka vendosur për shkarkimin e të gjithë organeve të partisë, gjashtë nënkryetarët, sekretarin përgjithshëm, Aleksandar Kiracoski, sekretarin organizativ, Mile Zeçeviq, drejtuesit e forumit të gruas dhe organet tjera. Në postin e sekretarit të përgjithshëm është caktuar Lupço Nikollovski, ministër aktual i bujqësisë.
“Do të ketë ndryshime në postet ministrore, në më shumë se tre ministri, ndërrime drejtorësh, por ndërrime edhe në pushtetin lokal dhe institucione tjera. Gjithkund ku ka pasur arrogancë dhe mungesë të rezultateve do të ketë ndryshime”, ka deklaruar Zaev.
Ai tha se bisedime do të ketë edhe me partnerët e koalicionit, kreun e BDI-së, Ahmeti dhe të Alternativës, Afrim Gashi. Zaev përjashtoi mundësinë që të jep dorëheqje pasi siç tha koncepti i tij për shoqëri shumetnike po jep rezultate ndërsa përmendi edhe zgjidhjen e çështjeve të hapura me Greqinë e Bullgarinë.
Siç bëhet e ditur Zaev i ka dorëzuar kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti një listë me emrat e zyrtarëve të kësaj partie që duhet ndërruar për shkak të rezultateve të dobëta.
Ndryshimet në qeveri pritet të ndodhin në fillim të muajit qershor.



