
Mjeku dhe anëtari i departamentit të shëndetësisë në Partinë Demokratike, Erges Eskiu, për skandalin te spitali Onkologjik, thotë se së pari ky spital ka nevojë për medikamente dhe për mjekë.
Duke folur për MCN Live, Eskiu deklaroi se pacientë në stad terminal që nuk kanë imunitet, rrinë dhe presin në vapë dhe se përgjithësisht u thuhet që nuk ka medikamente.

Sipas tij, në momentin kur nuk çon medikamentet aty, mjeku ose do të ulë dozën që të japë një mjekim placebo për të gjithë, ose do përzgjidhet se kush do e marrë sot dhe kush një herë tjetër.
Mund t’i bësh nder dikujt dhe dëmton dikë tjetër. Është kriminale, por kjo vjen nga mungesa. Nëse medikamentet dalin nga spitali për në privat, kjo është kriminale.
Në klinikën nën akuzë, një seancë kimioterapie kushtonte 1 mijë euro, ndërsa në klinikat e tjera private shërbehet me 4 mijë euro.
Kemi të bëjmë me një skemë mafioze të mirë strukturuar. Çdo vit kemi 6 mijë raste të reja me tumore.
Njerëzit me tumor, nuk është se iu përfundon jeta brenda vitit, vazhdojnë të marrin mjekim për vite.
Nëse mjeku ka pasur mjekim dhe i ka orientuar në privat, kjo është kriminale.
Sëmundja e cila është me ritme shumë të shpejta, vazhdon të gërryen.
Gjithë sa ka ndodhur ka prapavijë politike të fortë.
Përgjegjësit për mua janë ata që bëjnë tenderat, janë ata që lënë aparaturën e kobaltit që lëshonte 20 herë më shumë rrezatim dhe ka sëmurë mjekët, pacientët dhe duhen dënuar për krime kundër njerëzimit këta njerëz.
Mbetjet kimike të kimioterapisë çdo muaj janë depozituar në bodrumin e spitalit.
Pacientët i fut në rrezatim dhe i lë pranë mbetjeve kimike.
Ka medikamente të reja dhe nuk janë futur në treg, se ka klientelizëm të madh.
Këtu vijnë medikamente nga burime jo të sigurta.



