Një 43-vjeçare ndërroi jetë dje në Fier pasi u hodh nga kati i katërt i pallatit. Nëna e dy fëmijëve, Liljana Ruko, ndërroi pak çaste pas përplasjes së fortë me tokën. Ngjarja erdhi pas një grindjeje që ajo kishte pasur me të shoqin, i cili e ka shtyrë nga dritarja e banjës së apartamentit.
Hetimet nga policia thonë se dyshohet se bashkëshorti ka pasur probleme xhelozie dhe për këtë ka krijuar debat. I marrë në pyetje për ngjarjen, vetë autori i dyshuar ka thënë se ka qenë një sherr momental, por nuk pranon që të ketë hedhur gruan.
“Ka rrëshqitur në banjë, nuk arrita të ndaloja dot”, është shprehur ai. “Nuk kemi pasur konflikte. U grindëm, u përleshëm dhe ajo ra vetë. Nuk e hodha unë. Vërtetojeni këtë. Unë e doja. S’di pse e nisëm sherrin”, ka thënë ai në polici, ndërsa nuk ka pranuar të japë asnjë arsye për ngjarjen, raporton “Panorama”.
Megjithëse deri në orët e vona të mbrëmjes 53-vjeçari është marrë në pyetje, ai nuk ka treguar se e kishte shtyrë me dashje të shoqen. Sipas burimeve nga policia, ai ka shfaqur tronditje psikologjike. Pritet që të merren dhe dëshmitë e të afërmve të tyre në lidhje me marrëdhëniet e çiftit.



