Ish-ndihmësi i Shtëpisë së Bardhë, Steve Banon, dhe Henry Kissinger janë takuar dy herë në shtator të këtij viti, për të njëjtën çështje: Kina. Menjëherë pas publikimit të lajmit në “Bloomberg Business Week, media nisi të interesohej për atë që ishte diskutuar gjatë dialogut Banon-Kissinger, detajet e të cilit mbeten ende të panjohura.
Raportimet në media flasin për një projekt që ka për qëllim “paralajmërimet rreth Kinës”. Megjithatë si është arritur te ky supozim, nuk ka ende një bazë konkrete.
Po ashtu thuhet se Bannon e ka cilësuar Kissingerin si "aleat" në një “kryqëzatë” anti-Kinë. Por gjithsesi këto mbeten thjesht supozime.
Duke qenë se Kissinger ka qenë gjithë jetën pranë globalistëve dhe veçanërisht ata me bazë në SHBA, ai mbetet njeriu në hije pas “think tank”-eve globale si konferencat Bilderberg, Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, etj. Por më së shumti, ai është fytyra publike e afrimit të Kinës me SHBA-të në vitin 1971. Duke parë këto, takimi mes diplomatit dhe politikanit Kissinger me renegatin politik, Banon, mund të jetë shenjë e një ndryshimi paradigmatik në qëndrimet e globalistëve ndaj Kinës.
Steve Bannon, një populist nacionalist i vetëdeklaruar ka siguruar influencë të gjerë nga jashtë Shtëpisë së Bardhë, ku është mbrojtur nga antagonistët.
Nacionalizmi ekonomik i Banonit përfshin edhe elementë të proteksionizmit ndaj Kinës.
Transferimi i detyruar i teknologjisë dhe inovacionit amerikan në Kinë është çështja e vetme dhe më e madhe e ekonomisë dhe biznesit në kohën tonë. Sa kohë që kjo çështje nuk zgjidhet, ata do të vijojnë ta përshtasin inovacionin tonë me sistemin e tyre, duke na lënë ne të kthehemi në një koloni
citohet ai në një raportim të Joshua Green nga “Bloomberg”.
Green analizon se gjatë fushatës presidenciale, Donald Trump tha se do të marrë masa aggresive ndaj Kinës. Por pavarësisht atyre që janë thënë, pak është bërë.
“Ne jemi ende në fazën e diskutimeve nëse do ta përjashtojmë Kinën si partner ekonomik dhe ta trajtojmë si “armik” të tillë. Por deri tani nuk kemi marrë ndonjë veprim në këtë drejtim”, thotë Derek Scissors, një ekspert i ekonomisë kineze në Institutin Amerikan të Sipërmarrjes.
Supozimi se Bannon po fillon një fushatë kundër Kinës, duke u ndihmuar nga këshillat e Kissingerit, del në komentet e Green.
“Mungesa e progresit e ka bindur Bannon-in se një entitet i jashtëm është i domosdoshëm për të përqëndruar vëmendjen e SHBA-së dhe presionin politik në një përballje më agresive me Kinën.
“Ajo që e bëri të mblidhte mendjen, - thotë Green, - ishin dy takime në shtëpinë e Kissingerit në Konektikat. Ish-sekretari i Shtetit në kohën e presidentit Nixon kujtoi vitet ’70, kur udhëheqësit politikë amerikanë ishin të preokupuar me përfundimin e Luftës së Vietnamit, ndërkohë që diplomatët e politikës së jashtme nga jashtë shqetësoheshin se SHBA po humbiste Luftën e Ftohtë me sovjetikët.
Këto shqetësime çuan në ringjalljen e Komitetit të Rrezikut Emergjent, një grup lobimi i formuar në vitin 1950, për të promovuar idetë e Paul Nitze dhe Dean Acheson për politikën e jashtme. Qëllimi i tij ishte forcimi i vendosmërisë së SHBA-së për të kundërshtuar kërcënimin sovjetik, lobimin kundër uljes së tensioneve dhe marrëveshjen e kontrollit të armëve SALT II.
Pikërisht nga këtu duket se ka lindur ideja e asaj që mund të quhet lobimi anti-Kinë nga Kissinger, një strategji që të kujton lobimin anti-Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.
Në sytë e publikut, interesi i Kissinger në këshillimin e një ideologu shpërthyes si Banon duket i pazakontë. 94-vjeçari e ka vizituar Kinën më shumë se 80 herë që nga vizita e parë e vitit 1971, që kishte synim rivendosjen e marrëdhënieve SHBA-Kinë.
Ai ka ngritur një biznes këshillimi ndërkombëtar dhe ka qenë ndërmjetësi i preferuari i kinezëve me presidentët amerikanë.
Elizabeth Economy, drejtore e studimeve mbi Azinë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, e sheh këtë si diçka të çuditshme.
Kissinger ka qenë një nga propozuesit kryesorë të G2-shit, ideja se nuk ka marrëdhënie me të rëndësishme për SHBA-të se ato me Kinën. Megjithatë, nuk shoh ndonjë gjë të keqe në takimin e tij me dikë që ka ende ndikim brenda Shtëpisë së Bardhë
shprehet ajo.
Henry Kissinger – ish-konsulent për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan në vitet 1969-1975 dhe sekretar 56-të i Shtetit. Ka qenë nismëtari i zbutjes së marrëdhënieve midis SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik dhe si rezultat është nënshkruar marrëveshja SALT 1, në vitin 1972, kohë kur u vendosën për herë të parë marrëdhëniet zyrtare SHBA-Kinë. Kissinger është nderuar me Nobelin e Paqes në vitin 1973 për kontributet e mëdha për zgjidhjen e problemit të Vietnamit.
Steve Bannon - aktivist politik, drejtues mediash dhe ish-bankier. Është aktualisht drejtuesi ekzekutiv i Breitbart News. Ka shërbyer për shtatë muaj si shef i Strategjisë në Shtëpinë e Bardhë, një pozicion i ri i krijuar nga administrata “Trump”. Në gusht të këtij viti, ai iu rikthye medias. Në vitet ’70-’80 ka qenë oficer i Marinës Amerikane dhe ka shërbyer edhe në Pentagon. Më pas ka punuar si bankier investimesh në “Goldman Sachs”.



