
Departamenti i Shtetit thotë se “është në dijeni” të komenteve të Presidentit Ilir Meta ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe diplomatëve amerikanë dhe se “është duke vëzhguar situatën”.
Një ditë më parë, në lidhje me sugjerimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, që Shqipëria t’i drejtohej për opinion Komisionit të Venecias lidhur me përplasjen për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta u tha “Jo më shtet të ambasadave, por shtet të së drejtës”. Në lidhje me këtë koment, siç raporton VOA, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkura nuk ka ndryshuar”, thotë zëdhënësi, duke shtuar se “vazhdimi i përparimit me reformat është jetik për stabilitetin dhe begatinë e Shqipërisë, si dhe për çuarjen përpara të synimit tonë të përbashkët, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Shtetet e Bashkuara, shton më tej zëdhënësi, “do të vazhdojnë të mbështetin Shqipërinë si një vend mik, partner dhe aleat, teksa vendi kryen reforma jetike”.



