
Të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Italisë do t’u bëhet tamponi falas në aeroporte nga autoritetet e vendit fqinj. Masa është një nga detajet e dekreti të datës 12 gusht 2020, që ka lëshuar qeveria italiane.
Në bazë të këtij dekreti, të gjithë qytetarët e Maltës, Spanjës, Greqisë dhe Kroacisë duhet të bëjnë testin e koronavirusit, nëse do të udhëtojnë drejt Italisë. Ata duhet të paraqesin testin me rezultat negativ të Covid-19, në mënyrë që të lejohet të futen në territorin italian.
Momentalisht, për qytetarët (përfshirë shqiptarët), të cilët nuk e kanë detyrim sipas dekretit që të paraqesin testin, autoritetet italiane kanë marrë masa që këtyre pasagjerëve t’u kryhet tamponi (falas) në momentin e mbërritjes në aeroport në mënyrë që të vijojnë më tej drejt destinacionit të tyre. Kjo masë është marrë për shtetet që nuk janë të përfshirë në dekret, me qëllim mospërhapjen e virusit Covid-19 në Itali.
“Sikurse ndodhi edhe me udhëtarët që mbërritën në aeroportin e Perugia-s me fluturimin e sotëm nga Shqipëria, ora 14:00, ekipet mjekësore italiane të vendosura në aeroport u kryen pasagjerëve tamponin falas, si dhe procedurat e tjera përfshirë deklarimin e të dhënave personale në një formular të posaçëm. Përgjigja e tamponit do të dërgohet pas 48 orësh. Gjatë kësaj periudhe, të gjithë qytetarët janë të detyruar të kryejnë karantinimin/izolimin në banesën e tyre në pritje të rezultatit”, thuhet në një njoftimi të Ministrisë tonë të Jashtme .



