Kryetari i Dhomës së Avokatisë Elbasan, Demir Çiftja për arrestimin e avokatit Ulian Barjami, i cili akuzohet për kanosje ndaj prokurorit Gjergji Ceka, pas një përplasjeje të ashpër gjatë një seance gjyqësore, thotë se arrestimi është arbitrar dhe se në sallën e gjyqit nuk kishte kërcënim.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se nuk pati debat personal, por gjyqësor, lidhur me provat teksa do të jepej masë sigurie.
Sipas tij, gjithçka vjen prej mos funksionimit të sistemit gjyqësor dhe mbingarkesës me çështje si dhe mungesës së gjyqtarëve dhe akumulimit të çështjeve.
Kam qenë vetë prezent në sallën e gjyqit, ku bëhej vlerësimi i masës së sigurisë për disa të ndaluar.
Mbasi pamë pamjet filmike në prezencë të gjyqtares për personat që do caktohej masa e sigurisë, rezultonte që në ambient kishin qenë ulur në tavolinë 12 persona, por pamjet filmike treguan në fakt se ishin ulur 6 persona.
Në këtë moment kolegu Bajrami në mbrojtje të klientëve të tij, deklaroi se do bëjë kallëzim dhe për prokurorin dhe oficerin e policisë gjyqësore. Në atë moment gjykata u tërhoq për të marrë vendim për masën e sigurisë.
Nuk pashë ndonjë moment për kërcënim, apo ushtrim ndikimi ndaj prokurorit të çështjes apo gjyqtares.
U larguam normalisht nga seanca e të premtes dhe vetëm dje morëm vesh se ishte ndaluar avokati. Avokati konstatoi se procesverbali me pamjet reale kishin dallim në numrin e personave.
Kështu që çdo avokat që konstaton këtë element kërkon pavlefshmërinë e akteve dhe ka të drejtë të bëjë edhe kallëzim penal.
Te pjesa e audios del me rrjedhë logjike, ku avokati thotë se do merrem personalisht dhe do bëj kallëzim për oficerin e policisë gjyqësore dhe prokurorin e çështjes.
Ndalimi i avokatit është bërë me iniciativë nga OPGJ dhe ky ndalim do i kalojë prokurorit të çështjes, që aktualisht nuk e dimë se kush do jetë.
Do jetë kompetente prokuroria e Elbasanit, apo ndonjë prokurori tjetër si ajo e Tiranës, si më e afërta. Avokati mund të përdorë çdo lloj mjeti ligjor për të mbrojtur interesat e ligjshme të klientit të tij.
Nuk ishte debat personal, ishte debat gjyqësor. Nuk mund të kalojmë debatin gjyqësor në një debat personal.
Ishte debat gjyqësor, se po flitej për prova, se pamjet filmike treguan vetëm gjashtë persona në tavolinë kur ndërhyri policia dhe jo 12 siç thuhej në procesverbal.
Në vazhdimësi nuk pati diskutime dhe kontestime, u mbyll procesi, gjykata madje u tërhoq për një orë për dhënien e vendimit.
Çiftja paralajmëroi reagim nga Dhoma e Avokatisë për të mbrojtur fjalën e lirë të avokatëve, pasi u shpreh se ka qëndrim represiv ndaj tyre.



