Hoti për Tvt: Së shpejti në Kosovë adaptimi i një spitali të ri Covid me një kapacitet prej 500 shtretërish

Hoti për Tvt: Së shpejti në Kosovë adaptimi i një spitali të ri Covid me një kapacitet prej 500 shtretërish

Situata alarmante me rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19 në Kosovë, duket që nuk ka të ndalur. Sipas shifrave të disponueshme nga Ministria e Shëndetësisë për TvT, sa i përket infektimeve, grup-mosha më e prekur në Kosovë është ajo prej 30-39 vjeç dhe 40 -49 vjeç.

 Në një prononcim për TvT.al drejtori i Departamentit të Komunikimit me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, Faik Hoti , pohoi se gjendja paraqitet të jetë mjaft serioze.

Ai nënvizoi se megjithatë deri më tani është përballuar fluksi i të infektuarve në spitale.

“Situata është shumë serioze, shifrat e të infektuarve mbesin ende të larta, ka një rritje edhe të numrit të rasteve që përfundojnë me fatalitet dhe krejt këto ndikojnë edhe në ngarkesën e punonjësve shëndetësor dhe infrastrukturës spitalore, e cila këtyre ditëve po ballafaqohet më numër të lartë të pacientëve që kërkojnë tretman spitalor. Megjithatë, e rëndësishme është që përkundër gjithë këtij fluksi, institucionet shëndetësore ja kanë dalë të ofrojnë shërbime shëndetësore për qytetarët që kanë kërkuar tretman spitalor, por dhe për ata që marrin tretman mjekësor jashtë-spitalor”.

Hoti pohon se fluksi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, edhe mund të menaxhohet për shkak se, krahas kësaj, në spitale Covid janë të kyçura edhe shtatë spitalet e përgjithshme në vend.

“Deri më tani e kemi përballuar fluksin, me të gjithë ngarkesat. Rreth 1/3 e rasteve trajtohen në Qendrën Klinike Universitare dhe klinikat e saj, ndërsa 2/3 trajtohen në 7 spitalet rajonale. Kemi një gjendje të ngarkuar, por deri më tani është menaxhuar. Në nivel të Kujdesit Parësor ofrohen shërbime shëndetësore (në QKMF) për rastet ambulantore, derisa një numër pacientësh, rastet më të lehta, marrin tretman shëndetësor shtëpiak.Përcjellja e këtyre pacientëve është më sfiduese, për shkak se ka pasur raste kur pacientë që kanë qenë me simptomatologji të lehtë nuk ju kanë përmbajtur izolimit”, u shpreh Hoti.

Në përgjigje të gjithë kësaj situate në vend, drejtori për informim në MSH, zbulon për herë të parë se në proces e sipër janë procedurat për adaptimin e një spitali të ri Covid në vend, me një kapacitet prej 500 shtretër.

“Deri tash numri më i lartë i pacientëve në tretman spitalor ka qenë rreth 800 në total, prej të cilave 526 me Covid. MSh dhe SHKUK kanë mobilizuar në maksimum kapacitetet që i kanë, por nëse do të këtë nevojë, do të zgjerohen edhe më tej, qoftë duke kthyer klinika në QKUK në klinika anticovid, duke aktivizuar Qendrën e mjekimit të FSK-së, apo duke përdorur edhe spitale private në funksion të trajtimit, në pajtim me pronarët e tyre. Në proces e sipër janë procedurat për përzgjedhjen e një operatori për adaptimin e Klinikës së re Emergjente në ndërtim e sipër, në spital Covid, me një kapacitet prej 500 shtretërish, por ky projekt merr pak më shumë kohë", sqaron Hoti.

Ajo që paraqitet mjaft sfiduese në situatën pandemike në Kosovë, është fakti “ndëshkues” se ende atje nuk ka një skemë ligjore për rimbursimin e barnave, dhe si e tillë e rëndon edhe më shumë situatën ekonomike të të sëmurëve të cilët detyrohen ti sigurojnë vet barërat në kushte shtëpie.

“Për fat të keq në Kosovë nuk funksionon ende skema e sigurimeve shëndetësore. Ajo që e rëndon situatën sidomos në rrafshin social dhe ekonomik të këtyre pacientëveështë se shpenzimet për tretman shtëpiak kryesisht i bartin vet qytetarët, në mungesë të një skeme funksionale të sigurimeve shëndetësore, e cila nuk është aktive përkundër se ka Ligj të miratuar të sigurimeve shëndetësore.

Për fat, terapitë që përdoren për kujdes shtëpiak janë më të lira, por megjithatë përbëjnë një shpenzim të konsiderueshëm për qytetarët, sepse, përveç procedurave të trajtimit, kohë pas kohë bëhen edhe ekzaminime, dhe jo të gjitha mund të kryhen në QKMF apo institucione publike shëndetësore. Nuk ka një rimbursim të barnave të cilat pacientët i përdorin gjatë mjekimit shtëpiak. Nuk ka një skemë ligjore për rimbursimin e terapive në shtëpi”, u shpreh Hoti për TvT.al.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy