
Banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë po protestojnë prej ditës së djeshme pasi pretendojnë se biznesmeni Bashkim Ulaj ka falsifikuar certifikatat e pronave të tyre dhe po ndërton aty një rezort luksoz.
Një nga banorët tha për mikrofonin e MCN Live se këto toka Ulaj i ka marrë përmes Fatmir Shpellzajt që ka qenë drejtor hipoteke në Malësinë e Madhe dhe se për këtë dy persona është bërë një kallëzim në SPAK.
Jam banor i kësaj zone. Nuk e dimë se çfarë është bërë këtu, thonë që ka bërë letrat dikush, certifikatë. Ne nuk kemi certifikatë, por kemi letrat e gjyshit. Policia, ata i lejon të punojnë neve s’na lejojnë të hyjmë. Shteti të vijë këtu dhe të bëhet përballje me certifikatat. Është toka jonë, e gjyshërve tanë. Gjeni një person që nuk ka tokë këtu.
Kemi 13 vjet nëpër gjyqe dhe nuk na është dhënë e drejta. Na kanë bllokuar rrugën.
Të gjithë këtu kemi të njëjtin hall. Kemi letrat e gjyshërve. Janë 60 familje.
Po na marrin 1560 dynym. Vlerë ka shumë pasi është vend turistik. Pse ka pasur vlerë jemi në këtë pikë. Kemi një avokat, kemi çuar letra në SPAK. Ne nuk kërkojmë dëmshpërblim, kërkojmë tokën tonë. Nëse ka certifikatë, e ka të falsifikuar. Askush nuk është në dijeni për këtë gjë. Ne kemi letrat e vjetra se certifikata nuk na ka bërë kush. Letrat tona ekzistojnë brez pas brezi që nga 1927. Po thonë se është regjistruar padia jonë në SPAK.
Janë dy fadroma, 60 policë edhe ky sheshon, ai tjetri i rrafshon. Sipas fjalëve po thonë që po ndërton Bashkim Ulaj. Fatmir Shpellzaj thonë ka bërë letrat, si i ka bërë i di ai dhe ja ka shitur Bashkim Ulajt.
Një tjetër banor tha se rruga në zonë është bërë për të grabitur tokat e Rrjollit.
Shpellzaj ka qenë drejtor i hipotekës së Malësisë së Madhe.
Kemi ֭çuar në SPAK Bashkim Ulajn dhe Fatmir Shpellzajn. Toka jonë është blerë me napolona në 1920. Rruga është bërë vetëm me grabit tokat e Rrjollit.



