Padisë së artistëve, Instituti I Ndërtimit do t’i përgjigjet me një kundërpadi për prishje imazhi të 3 specialistëve. Kështu thonë burime zyrtare pranë këtij institucioni për TvT. Ndërkohë nga një komunikim me drejtuesin e këtij instituti, z. Agron Hysenlliu, ai pranon se prej specialistëve nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore dhe se mosprezenca e tyre në akt-konstatimin e datës 13 maj është urdhëruar nga vetë ai.
Dokumentacioni që kemi ne, ata zotërinjtë kanë një urdhër nga unë që të mos shkojnë në terren, por të interpretojnë akt-ekspertizën e kryer në vitin 2018. Ata pretendojnë pse nuk kanë dalë në terren. Nuk kanë pasur detyrë të dalin në terren. Ky është komenti që kam unë. Nuk ka qenë e nevojshme që ne të shkojmë në terren, pasi në Teatrin Kombëtar është kryer një akt-ekspertizë e thelluar në vitin 2018 dhe në vitin 2018 është dalë me një konkluzion që i është vënë në dispozicion Drejtorisë së Teatrit Kombëtar. Me ndërrimin e pronësisë, Bashkia e Tiranës ka kërkuar që ne ta interpretojmë dhe të shikojmë si është gjendja e Teatrit Kombëtar. Ne nuk e kemi parë të arsyeshme të shkojmë pasi aty nuk ka pasur asnjë lëvizje, madje është degraduar më shumë dhe konkluzionet që kemi nxjerrë në 2018 janë po ato konkluzione që kemi edhe në raportin e sotëm.
I bindur se vartësit e tij i kanë respektuar të gjitha rregullat në kryerjen e akt-konstatimit, i cili rekomandon shembjen e Teatrit, drejtori i Institutit të Ndërtimit shprehet i hapur ndaj çdo hetimi.
Në padinë e dorëzuar në prokurori, artistët kanë akuzuar tre inxhinierët e Institutit të Ndërtimit për shpërdorim detyre, pasi këta të fundit nuk kanë qenë prezentë në godinën e Teatrit gjatë kryerjes së aktit të konstatimit që mban datën 13 maj 2020.
Akti i fundit i kryer nga specialistët e Institutit të Ndërtimit është i bazuar mbi një tjetër akti, i cili është i vitit 2018, por sipas artistëve ky akt është i pavlefshëm, pasi nuk ka konstatime konkrete dhe me baza.
Aktivistja Doriana Musaj thotë për TvT se e mirëpresin kundërpadinë e Institutit të Ndërtimit duke shprehur gatishmëri për ballafaqim ligjor.
Sigurisht, është e drejta e tyre kushtetuese. Ua lejon Kushtetuta dhe ligji, janë të mirëpritur. Të ndërmarrësh një padi kundrejt institucioneve dhe individëve që janë funksionarë publikë, merr një zotim para ligjit dhe ne e dimë që është përgjegjësi ligjore, kështu që ne e kemi marrë zotimin ligjor dhe jemi të përgjegjshëm për firmat që kemi hedhur.
Musai garanton se mbështetja e Europa Nostra për rindërtimin e Teatrit, të shoqëruar me një sërë dokumentesh të godinës, por edhe inspektimin e tyre direkt në Teatër.
Europa Nostra është shoqatë që ruan trashëgiminë dhe i gjithë ai grup janë grup ekspertësh europianë, kështu që kanë marrë përgjegjësi të plotë. Ata e dinë, e kanë parë objektin, kanë qenë këtu dhe e njohin, nuk e kanë parë vetëm me letra. Ata minimalisht kanë denjuar të vijnë këtu nga Brukseli. Ndërsa këta nuk kanë denjuar të vijnë as nga “21 dhjetori”.
Ditën e hënë, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka lajmëruar prezantimin e video-projektit për Teatrin e ri Kombëtar. Nga ana tjetër, artistët kanë paralajmëruar se do të mësyjnë zyrat e bashkisë në rast se një fadromë ndërtimi i afrohet Teatrit Kombëtar.



