“Hapat e dashurisë” është një shfaqje që do të jepet sot dhe nesër në teatrin “Kujtim Spahivogli”, ku do të interpretojnë edhe persona me aftësi të kufizuar.
Drejtoresha e Qendrës së Zhvillimit “Shtëpia e Kuqe”, Ingrid Trajani thotë se sot do të ndodhë aventura për të cilën kanë një muaj që po punojnë intensivisht.
Në studion e MCN Live, Trajani sqaroi se shfaqja e cila përfshin edhe një moment kërcimi, vjen për të zbatuar një ide të Florian Papës, duke treguar se ishte ide e tij e cila u materializua pranë qendrës me mbështetjen e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile.
Kemi tre muaj që punojmë, një muaj është intensiv me persona me aftësi ndryshe të cilët kanë ardhur përditë me 3-4 orë prova. Familjet janë të parat që e mundësuan këtë projekt.
Këta janë persona që kanë nevojë për shoqërim, mbështetje dhe suport. Janë persona që një pjesë vijnë nga shtëpia, nuk janë nga institucione. Duhet ti zgjosh dhe ky projekt ishte shumë pozitiv në këtë drejtim.
Shfaqja është e menduar në katër pjesë, skeç që do të luhet mes Florit dhe mamasë së tij, pjesa ka të bëjë me një histori të vërtetë që ka ndodhur diku. Ku një nënë për të plotësuar nevojat erotike të djalit të vetë, shtiret si e dashura e tij në telefon.
Nënat bëjnë sakrifica të papara deri këtu. Këta kanë nevoja ndryshe, por kanë nevoja njëlloj si ne, emocionale, por edhe fizike, duhet t’i hedhim poshtë këto tabu dhe të flasim.
Dokumentari do të tregojë se çfarë kemi bërë për një muaj, janë filmuar çdo ditë të rinj pranë qendrës. Kemi shkuar te Reja, Teatri i Operas, na pritën, kemi shkuar nga liqeni.
Dokumentari do të tregojë gjithë procesin se si arritëm tek kjo shfaqje, do të jetë rreth 20-30 minuta. Qëllimi ishte të dalin nga shtëpia, të krijojnë kontakte të reja dhe të shprehen.
Trajani sqaroi se shfaqja do të zgjasë rreth 1 orë e 15 minuta, teksa vlerësoi të rinjtë, për disiplinën e treguar.
Ajo cilësoi si vështirësi pjesën e financimit, duke shtuar se ishte shumë pak për punën e dhënë, ndërsa vlerësoi punën e regjisorit për kontributin financiar për realizimin e shfaqjes me anë të njohjeve të tij, duke përmendur edhe kamera me dronë.
Ka shumë njerëz të mirë që dhanë kontributin e tyre, që pavarësisht se unë nuk iu di emrat na ndihmuan shumë.



