Emisioni “FactCheck” zbardh raportin e kriminalitetit për të miturit, ku vetëm në 2023 janë 891 fëmijë të proceduar penalisht për vepra penale që nisin nga vjedhjet, grabitjet, droga, plagosjet dhe vrasjet.
Të miturit janë pjesë aktive e kriminalitetit në Shqipëri. Ata përfshihen në vepra të ndryshme kriminale deri tek vrasjet. Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme dorëzuar në parlament janë 891 procedime penale ku janë hetuar të miturit dhe kjo shifër është afro 9 % më e lartë se viti 2022.
Në këto vepra penale, ngjarje apo krime të kryera 746 shtetas të mitur nën moshën 18 vjeçare janë duke u hetuar nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm e po ashtu janë marrë edhe të pandehur.
Përgjatë vitit 2023, 36 të mitur u vendosën në masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi krimet e kryera janë konsideruar të rënda.
Për 603 vepra penale ku janë përfshirë të miturit prokurorët kanë vendosur mosfillim i procedimit penal për 353 raste është pushuar akuza e ngritur nga oficerët e policisë dhe 178 çështje kanë shkuar në gjykatë me 195 të mitur të pandehur.
Për të miturit ka një Kod të veçantë Penal e po ashtu detyrues edhe një udhëzim të Prokurorit të Përgjithshëm për masat alternative.
E teksa mbikëqyrja elektronike në Shqipëri prej vitesh ka dështuar, rezulton se ndaj të miturve janë përdor masat si më poshtë: në kuadrin e procedimeve të mosfilluara në 87 raste është aplikuar shmangia, ndër të cilat në 8 raste është vendosur paralajmërim me gojë, në 79 raste është vendosur paralajmërim me shkrim. Ndërkohë, për çështjet e pushuara në 326 raste është aplikuar shmangia, ndër të cilat në 2 raste është vendosur këshillim, në 39 raste është vendosur paralajmërim me gojë, 282 raste është vendosur paralajmërim me shkrim dhe në 3 raste është caktuar masë detyruese.



