
Argjentina ka anuluar një ndeshje miqësore me Izraelin, nën presionin politik të kohëve të fundit në Rripin e Gazës. Sulmuesi argjentinas, Gonzalo Higuain, i tha kanalit ESPN se ndeshja është anuluar.
“Më në fund bënë gjënë e duhur”, ka thënë ai në një intervistë.
Edhe ambasada e Izraelit në Argjentinë njoftoi përmes Tuiterit se ndeshja është anuluar. Mediat raportojnë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, i ka telefonuar presidentit Mauricio Macri në përpjekje për të arritur mirëkuptim për miqësoren që duhej të luhej në Jeruzalem të shtunën, por pa sukses.
Lajmi i anulimit të ndeshjes u prit me festime në Gaza, ku të paktën 120 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite gjatë protestave të fundit.
Në Ramallah, në Bregun Perëndimor, shoqata palestineze e futbollit me anë të një deklarate falënderoi sulmuesin e Argjentinës, Lionel Messi, dhe kolegët e tij për anulimin e ndeshjes.
“Vlerat, morali dhe sporti kanë siguruar fitoren sot dhe një karton i kuq i është ngritur Izraelit përmes anulimit të kësaj ndeshjeje”, citohet nga agjencia “Reuters”, Jibril Rajoub.
Ndeshja e anuluar, e cila do të ishte e fundit për Argjentinën para nisjes së Kupës së Botës në Rusi, ishte planifikuar të luhej në stadiumin e Jeruzalemit Perëndimor.
Statusi i Jeruzalemit është një çështje shumë e ndjeshme. Izraeli e sheh si kryeqytetin e tij të përjetshëm dhe të pandashëm, ndërsa palestinezët e shohin pjesën lindore të qytetit si kryeqyteti i shtetit të ardhshëm të Palestinës. Për këtë arsye, ata e kanë pritur me zemërim vendimin për ta zhvendosur ndeshjen nga Haifa në Jeruzalem.
Muajin e kaluar, zhvendosja e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem shkaktoi trazira në rajon. / BBC / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



