Në hollin e Pallatit të Kongreseve, sot do të zhvillohen homazhe në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën dy ditë më parë në një ngjarje tragjike, teksa ushtronte detyrën në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit.
Vrasja e gjyqtarit Kalaja tronditi opinionin publik dhe ngriti shqetësime serioze për sigurinë në institucionet e drejtësisë, duke nxjerrë në pah mangësitë e thella të sistemit ligjor dhe të mekanizmave mbrojtës.
Ceremonia e homazheve do të nisë në orën 09:00 dhe do të zgjasë deri në orën 11:00.
Figura e gjyqtarit Kalaja do të nderohet nga përfaqësues të lartë të shtetit, kolegë, miq dhe familjarë, të cilët do t’i japin lamtumirën e fundit me nderimet që i takojnë.
Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, trupi i Astrit Kalasë do të dërgohet në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, ku do të prehet në paqe. Ceremonia në Shkodër do të zhvillohet në orët 14:00–16:00.
Astrit Kalaja u vra nga Elvis Shkambi, i afërm i njërit prej personave të përfshirë në procesin gjyqësor, Gjon Shkambit, xhaxhai i autorit të dyshuar.
Gjatë sulmit u plagosën edhe dy persona të tjerë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ishin palë e tretë në çështjen gjyqësore për pronësinë.



