
Në protestën para bashkisë së Tiranës, protestuesit kanë hedhur sërish molotov në derën e bashkisë.
Gjithçka teksa mbahet protesta e radhës para Bashkisë së Tiranës lidhur me aferën “5D”, ku në kuadër të hetimeve u arrestuan pesë drejtorë të bashkisë së kryeqytetit.
Ndërkohë pak çaste para hedhjes së lëndës plasëse një efektiv i policisë humbi ndjenjat.
Bëhet fjalë për një polic i cili ishte në shërbim për mbarëvajtjen e protestës.
Sakaq në vijim protestuesit kanë shtyrë dhe kanë hequr kordonin metalik, në tentativë për të hyrë në bashki.
Këshilltarët bashkiak opozitarë kërkojnë që të hyjnë në godinën e bashkisë, duke deklaruar se është ditë pune.
Nga ana e tyre efektivët e policisë janë bërë pengesë për të hyrë në institucion, teksa sërish janë hedhur disa herë lëndë plasëse molotov. Këshilltari demokrat Dorian Teliti kërkoi sqarim mbi arsyen se pse nuk lejohen që të futen në bashki, ku duhet të ushtrojnë detyrën e tyre. "Pse është nevoja për këto skafandra? Kush do i prekë këta, është shkelje e rregullave dhe Kushtetutës. Ne këtu jemi për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit. Vetëm ne këshilltarët e zgjedhur duam të hyjmë në bashki. Është shpërdorim i pastër i detyrës. Kriminelët janë brenda, nuk janë jashtë", tha Teliti.



