Reshjet intensive të shiut që përfshinë pasditen e kësaj të hëne juglindjen e vendit kanë shkaktuar probleme serioze në disa akse rrugore, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Në aksin Moglicë–Gramsh, masa të konsiderueshme dheu dhe gurësh janë shkëputur nga shpatet anësore të malit, duke bllokuar pjesërisht rrugën.
Për shkak të situatës së krijuar, lëvizja e mjeteve po kryhet vetëm në njërin krah të rrugës, ndërsa ndërhyrja e plotë mbetet e vështirë për shkak të prurjeve të vazhdueshme të dherave dhe gurëve. Autoritetet dhe grupet e punës ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën.
Problematika është shfaqur edhe në aksin Qukës–Librazhd, si dhe në segmentin Prrenjas–Xhyrë, ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e Korridorit VIII. Prej më shumë se 40 minutash, qarkullimi në këtë zonë është pothuajse i paralizuar.
Pamjet e siguruara pranë fshatit Xhyrë në Librazhd tregojnë kolona të gjata automjetesh të bllokuara, ndërsa trafiku ka marrë përmasa kilometrike. Drejtuesit e mjeteve raportojnë se qarkullimi është bllokuar në të dyja korsitë, duke detyruar një pjesë të udhëtarëve të kthehen pas pas pritjeve të gjata.
Sipas burimeve zyrtare, ngadalësimi dhe bllokimi i qarkullimit janë shkaktuar nga rrëshqitjet e dheut dhe balta e krijuar pranë zonës së Dragostunjës. Kjo zonë është përballur edhe më herët me situata të ngjashme, pasi në shkurt të këtij viti një rrëshqitje masive bllokoi qarkullimin për rreth tetë orë.
Aktualisht, një fadromë ndodhet në terren dhe po punon për pastrimin e baltës dhe rikthimin e normalitetit në qarkullim. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e policisë rrugore.



