
Besimtarët katolikë në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë sot Festën e Pashkës, ngjarjen më të rëndësishme në kalendarin e krishterë, e cila simbolizon ngjalljen e Jezu Krishtit dhe triumfin e jetës mbi vdekjen.
Pashka përfaqëson fitoren e jetës mbi vdekjen, tri ditë pas kryqëzimit të Jezusit.
Ajo shënohet pas një periudhe 40-ditore agjërimi dhe përgatitjeje shpirtërore, e njohur si Kreshma.
Edhe politika ka përcjellë urime për besimtarët e krishterë.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video të realizuar me inteligjencë artificiale, të shoqëruar me mesazhin: “Gëzuar Ditën e Re”.
Ndërkohë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar besimtarët me rastin e Pashkës, duke vënë në dukje vlerat shpirtërore dhe simbolikën e kësaj dite të shenjtë.
Në mesazhin e tij, Begaj thekson se Pashka përfaqëson besimin se e mira triumfon mbi të keqen, drejtësia mbi padrejtësinë, ndërsa dashuria dhe drita mbizotërojnë mbi forcën dhe errësirën. Ai nënvizon se kjo festë është një dëshmi e fuqisë së jetës dhe një burim i pashtershëm shprese për njerëzimin.
“Gëzuar Pashkën! Pashka është besimi se e mira fiton mbi të keqen, drejtësia mbi padrejtësinë, dashuria mbi forcën dhe drita mbi errësirën. Pashka është besimi se jeta është forca e pashtershme që na udhëheq. Pashka është shpresë dhe gëzim. Kjo festë na kujton se Zoti nuk na braktis kurrë dhe se dashuria e Tij është më e fortë se vdekja. Uroj që kjo ditë e shenjtë të sjellë gëzim, paqe dhe bekime në familjet tuaja”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Një nga simbolet më karakteristike të kësaj feste është veza e kuqe, e cila përfaqëson jetën e re.
Ngjyra e saj simbolizon sakrificën e Krishtit, si edhe fitoren, gëzimin dhe jetën.
Tradita e vezëve ka zanafillë të hershme dhe lidhet me simbolikën e rilindjes së natyrës në pranverë.
Me rastin e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe përplasin vezët e lyera, duke ruajtur kështu një nga zakonet më të dashura të kësaj feste.



