
Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e MCN Live se akuzat se ka hedhje vaji në aksin rrugor Prrenjas-Qafë Thanë dhe se për këtë shkak ka një numër të lartë aksidentesh në këtë segment nuk janë të vërteta. Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij Qibini tha se dikur ka qenë ky fenomen, por tani sipas ekspertizës së kryer nga ai vetë dhe nga të dhënat nga policia e Elbasanit, kjo gjë nuk ndodh më dhe se aksidentet shkaktohen nga pakujdesia e shoferëve së pari dhe kohët e fundit dhe nga kushtet e motit që kanë krijuar një sipërfaqe të rrëshqitshme.
Disa media kanë shkruar se në një segment nga Prrenjasi në Qaf Thanë aty ku janë dhe gomat kanë hedhur vaj. Unë kam qenë pjesë e grupit hetimor sa i përket një aksidenti ku ishin dy të huaj, nga grupi hetimor nuk është vënë re lagia e asfaltit me vaj. Këtu kemi të bëjmë me mosrregullim të shpejtësisë. Dhe kohët e fundit ka pasur reshje të shoqëruara me pluhur dhe sipërfaqja bëhet e rrëshqitshme. Drejtuesit duhet të reduktojnë shpejtësinë në përshtatje me kthesën, rrezen, duhet të reduktojnë shpejtësinë që mos të dalin jashtë korsisë së tyre.
Kemi kthesa të dyfishta të padukshme. Segmenti ka problematika sa i përket pjerrtësisë së rrugës. Segmenti është i rënduar me një fluks të madh lëvizjesh. Nuk është rrugë fushore e drejtë, siç janë 70% e rrugëve në vendin tonë.
Nuk rezulton kjo hedhje vaji se në një nga ngjarje kam qenë. Kjo ka qenë dikur pas disa vitesh, hidhnin vajra lubrifikantë. Por tani jo, edhe nga informacionet e marra nga policia e Elbasanit. Ai është segment ku kemi kthesa të padukshme të vazhdueshme sidomos nga Librazhdi në Përrenjas e më pas në Qafë Thanë. Për shkak të fluksit, konfiguracionit të kthesave kemi këto aksidente.
Qibini tha se të rinjtë nuk janë të ndërgjegjësuar dhe kanë njohuri jo të mira për parimet bazë të sigurisë rrugore.
Mungesa e njohurive të domosdoshme tek disa të rinj që nuk kuptojnë rrezikshmërinë që praqet për jetën e tyre pakujdesia e ecjes në rrugë, në formën e besimit të tepruar dhe neglizhencës. Kemi drejtues mjetesh që qarkullojnë mbi normën e lejuar të shpejtësisë, tërheqin vëmendjen gjatë drejtimit të mjetit, heqin vështrimin. Tërheqja e vëmendjes ndodh për shkak të përdorimit të alkoolit, lëndëve narkotike, parakalimeve të gabuara.
Është problem që ka të bëjë me ndërgjegjësimin e të rinjve dhe formimit të tyre me parimet bazë të sigurisë rrugore. Për shkak të njohurive jo të sakta dhe për shkak të ndërgjegjësimit të ulët. Ngelet problem edukimi i të rinjve. Është problem familjar, shoqëror dhe i institucione ligjzbatuese që kanë detyrimet e tyre sa i përket këtyre parimeve. Edhe sipas statistikave të INSTAT 25-30% janë të rinj të moshave 18-32 vjeç janë mosha që nuk kane formimin e duhur profesional për drejtimin e mjetit.



