Banorët e zonës së ish-Kënetës në Durrës ankohen lidhur me përmbytjet e pak ditëve më parë, kur reshjet e shiut bënë që uji t’iu vërshonte si lumë në shtëpi.
Emisioni “Fol” në MCN TV u ndal me banorët e kësaj zone, të cilët bëjnë përgjegjës për situatën kanalizimet e ngushta dhe jo në nivel.
Njëri nga banorët shprehet se janë mbytur ndër vite dhe kërkon që më mirë të hapet kanali siç ka qenë më parë, në mënyrë që të mos përmbyten më.
Tubat e kanalizimeve janë të vegjël 300, që të ikë uji tubat duhet të ishin 500 minimalisht. Këtu ndahen drejtimet e shkarkimit në kanalet e larta.
Jemi ankuar që kur u futën tubat në tokë, sa u hapën kanalet dhe na thanë do rregullohet. Por asnjëri nga tubat nuk është në nivel.
Jemi përmbytur edhe në 2018, dhe në 2021. Të hapet kanali që të mos përmbytemi më. Erdhën i panë dëmet dhe ikën.
Ka shumë vite por si sivjet nuk ka bërë vaki të na hyjë uji brenda. Gjithë natën me gruan pastronim shtëpinë, por uji na hynte brenda.
I kërkoj institucioneve dhe bashkisë, të vënë dorë në zemër. Nuk janë bërë kanalet, kanalet janë jashtë çdo norme.
Tubi është si në mesjetë, janë bërë veprimet me aksion. I kërkoj institucioneve të vijnë të shikojnë.
Vit për vit kështu bëhemi, sa herë bie shi, nuk ka bërë vaki që me një ditë shi të përmbytesh kështu. Ta shohë shteti dhe institucionet.
Edhe ato kanale që kemi i kemi të bllokuara. Tubacionin e shkarkimit e bënë valë valë.
Ndërsa një banore shprehet se brenda 15 vitesh janë përmbytur tre herë.
Erdhën na sollën një pako ushqimore, me tre pako makarona dhe 3 kile vaj. Unë nuk kam nevojë për makarona, por një banesë ku të rrija sa të ikte uji.
Uji ka ndenjur dy ditë brenda në shtëpi. Unë kam ndenjur mbi ujë me dy fëmijë të vegjël. Ata kanë ardhur kur kanë ikur uji.
Pse më vjen më vonë kur ka ikur uji? Uji nuk tërhiqet asnjëherë kthehet, kur ka qenë kanali i madh i hapur, nuk jemi përmbytur asnjëherë.
Në fillim mu mbush banja, shpërtheu uji nga banja, nuk kisha çfarë të bëja, nga kanalizimet që janë skandaloze. Pastaj erdhi nga jashtë.
Mirë përmbytja, po nuk na sillnin as ujin. Pas telefonatave e lëshuan ujin, sa ishin këta që bën vlerësimin e shtëpive dhe sa ikën ata, e hoqën direkt.
Ujin e kemi me orar, na e sjellin në 2 të natës dhe në 7 e heqin. Kërkojmë kanalizime që të mos na ndodhin fatkeqësi të tilla.
Duhet të dinë kë punësojmë, se telefonojmë bashkinë na thonë merrni kryeministrin.
Nëse doni votë kur kërkoni, siç kërkoni votën bëni dhe punën.
Në fushatë na vijnë nga të gjitha partitë e thonë na 50 mijë lekë dhe na jep votën. E ne prapë në ujë.
Nuk ka asgjë, nuk ka një njeri të vijë të vërë një rregull dhe të thotë është ky person dhe ti duhet të përgjigjesh.
Një grua në moshë thotë se uji në shtëpi hyri mbi gjysmë metër dhe për katër ditë i strehuan në Kavaleshencë dhe më pas i kthyen sërish në lagështi.
“Duhet të vinte inxhinieri ta shikonte, ndihmë konkrete duam që kanali që është mbyllur të hapet, më mirë të hapet kanali se sa e mbyllën dhe i vunë tubin e ngushtë”, shprehet një tjetër.
Ndërkohë një e moshuar ngre shqetësimin se çdo vit shpenzojnë për të riparuar shtëpinë dhe situata iu përsëritet.
Çdo vit riparojmë shtëpitë, ka hyrë lartësia deri në gjysmë të shtëpisë, ka hyrë uji, kam ndenjur dy javë me qira.
I kemi hedhur aroma nuk ikën aroma e keqe. Kërkoj leje të ndërtoj një shtëpi, ta prish se ajo nuk është e banueshme më.
Orenditë janë prishur fare.



