Sistemi i diktaturës ishte në grahmat e fundit, por egërsia e saj ishte në tërbim. 33 Vite më parë u vranë në kufi tragjikisht në kohën kur rinia shqiptare kishte tendencën e shpërthimit kundër diktaturës për liri dhe demokraci. Tre shokë rinie të qytetit të Cërrikut, kishin marë një vendim "Ose të vdisnin, ose të arrinin lirinë e jetës së tyre!" Sokol Hado, Enver Malko dhe Frederik Haruni e kishin vendosur që të kalonin kufirin për të shpëtuar nga mënyra e jetesës nën regjimin diktatorial. Në atë kohë, tentativa për arratisjen nga Shqipëria u pagua me humbjen e jetës me pushkatimin e Frederik Harunit dhe Sokol Hados, ndërsa Enver Malko shpëtoi për një rastësi të çastit.
Ishte 25 shkurti 1990, ende pa nisur shpërthimet masive të protestave dhe ikjeve nga Shqipëria. 3 miqtë vendosën të arratisen, dhe pse kjo do t’u kushtonte jetën, ndonëse tentativa e parë në qytetin e Sarandës nuk rezultoi me sukses, sërish të etur për liri, ata do të sfidonin regjimin në malin e Korabit të Dibrës. Rruga e cila ishte mjaft e rrezikshme bëri që Enver Malko të rrëzohej dhe të humbiste gjak, duke bërë kështu ngadalësimin e grupit dhe të linte gjurmët e tij tek ushtarët, të cilët ruanin kufirin.
Në një moment grupi vendos të ndahej. Frederiku dhe Enveri do të qëndronin bashkë dhe Sokoli do të vazhdonte i vetëm. Në një moment Enveri dhe Frederiku vihen në shënjestër nga ushtarët, të cilët filluan me breshëri armësh kundrejt tyre. Edhe ashtu me plumba në trup, Frederiku ecte drejt lirisë. Ai u rrëzua në tokë duke bërtitur emrin e Enverit dhe mbylli sytë përgjithmonë. Më pas Sigurimi i Shtetit do të merrte Enverin, të cilin në format më brutale do ta torturonin për të treguar mikun tjetër të tij dhe arsyen se përse vendosën të largoheshin.
Enveri asnjeherë nuk tregoi për mikun e tij Sokolin, pasi mendonte që ai kishte shpëtuar. Frederiku edhe përse i vrarë do të merej në mesin e fshatit për tu bërë shembull për banorët e më pas do të hidhej si një leckë pranë një furrë ku nxehtësinë e saj e ndjeu Enveri disa metra larg. Pas një muaji, Sigurimi i Shtetit do të vinte i buzëqeshur drejt Enverit duke i thënë që edhe Sokolin e kishin vrarë dhe torturuar. Do të duhej dhe pak kohë që revoltat e viteve ‘90 do të bënin që Enver Malko të dilte nga burgu i vrarë shpirtërisht për humbjen e dy miqve të tij. 25 Shkurti 1990 asnjëherë nuk do të harrohet për Enver Malkon pasi jeta e tij do të ndryshonte tërsisht, Enveri është shembulli më i mirë për të parë sesi demokracia erdhi përmes këtyre sakrificave sublime.
Mua dhe Sokolit na lindi ideja e arratisjes nga trajtimi që u bëhej familjeve tona. Donim të iknim. Folëm me Kolin. Ishte viti ’85. I thashë, duhet të gjejmë një person që të ikim. Më tha nuk kam njeri. I thashë ta provojmë të ikim nga Shkodra nëpërmjet Bunës. Më tha e promvojmë nëpërmjet detit. Morëm një kamerdare. U nisëm një ditë, ndaluam në hotel “Apollonia” në Fier. Më pas në hotel “Butrinti”, në Sarandë. Pamë Korfuzin përballë. Na u duk aq afër liria.
E fshehëm kamerdaren në një gëmushë. Dolëm në qytet dhe pamë dritën. Kishte një prozhektor. Ajo natë ishte dhe me hënë. Deti nuk kishte dallgë. Por kishte shumë dritë. Ishte e pamundur.
(Rrëfen tentativën e dytë)
Motra e Sokolit ishte mes fejesës dhe martesës. Më tha nuk mundem sepse ikja jonë do të ndikojë. Nuk mundem në asnjë mënyrë ta bëj këtë gjë në këtë moment. Kur u poqën kushtet edhe për Kolin, që ishte djalë trim. Ai më prezantoi me Frederikun, njeriun e pikës kufitare, që do të na ndihmonte.
E vendosëm nisjen më 20 shkurt. Ishte viti 1990. “Unë gjallë në duar të komunistëve nuk bie, se e di çfarë të bëjnë”, tha Sokoli. U nisëm nga Peshkopia mal më mal. Unë rrëshqita dhe më ra të fikët. Frederik Haruni më përmendi. Ndieja gjakun në fytyrë, shijen e tij. Ishte natë.
Ishte e pamundur të vijoje. U ndamë. Ne kishim objektiv lirinë. Liria nuk ka çmim, por kujt nuk i mungon nuk mund ta dijë kurrë vlerën e saj. Në emër të lirisë vjen një moment i caktuar kur duhet të zgjedhësh e të paguash në mënyrë precize çmimin e këtij vendimi.
Vazhduam në një rrugë tjetër. Frederiku na udhëhoqi në një rrugë tjetër. Mbërritëm në një fshat. Njerëzit kishin parë gjurmë gjaku. Ne i kishim kaluar rojet. Banorët kishin dalë për dru dhe na kishin parë. Frederiku ecte në një terren me borë dhe u dukej si njëfarë ariu.
Frederiku më tha lëviz se na kapën. I thashë, ik më lër. Dëgjoheshin krisma. Doli ushtari dhe u krijua njëfarë trekëndëshi. Ata po flisnin, “Ndal, ndal”. Ushtari e godet Frederikun. Edhe pse i goditur me plumba, ai vazhdonte rrugën drejt kufirit. Ecte këmbadoras drejt lirisë. Derisa nuk mundi më. U mbështet majtas. Thashë se mbaroi, më thirri: O Veri, o shoku. Mua më morën, më lidhën duart dhe më mbanin aty. Më çuan në postë ku u sollën me mua në mënyrë barbare. Sa hyra te dera e postës më goditën nga të gjitha anët. Erdhi hetuesi dhe tha t’i fusim një plumb edhe këtij, t’i bëjmë një gropë diku. Nuk u tremba.



