
Zëvendësndihmëssekretari për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, thotë se nuk do të ketë luftë në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Unë me të vërtetë dua që njerëzit në Bosnje ta dinë se ne jemi të përkushtuar që nuk do të ketë luftë. Dhe, më besoni, të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe nënshkruesit e tjerë të Dejtonit, ku përfshihet Kroacia dhe Serbia janë të përkushtuara që të mos shohin një luftë në rajon”, është shprehur ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Escobar do të mbërrijë në Bosnje dhe Hercegocinë më 7 nëntor, ku janë shtuar tensionet pasi entiteti i Republika Sërpskës ka ndërmarrë disa veprime, të cilat janë vlerësuar se po dëmtojnë rendin kushtetues të vendit dhe udhëheqësi serb i Bosnjës, njëherësh anëtar i presidencës trepalëshe, Millorad Dodik, ka kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës - entitet i banuar me shumicë serbe.



