
Sot do të mbahet mbledhja e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze.
Do të jetë një mbledhje e përbashkët mes dy qeverive e cila do të zhvillohet në Podgoricë, ku një sërë marrëveshjesh pritet të nënshkruhen.
Fillimisht, do të jetë një ceremoni mirëseardhjeje, ajo e cila do të hapë siparin në orën 10:30, me prezantimin paraprak të dy delegacioneve.
Më pas, një mbledhje e përbashkët mes të dy kabineteve qeveritare do të zërë vend, në një sallë të përbashkët.
Bisedimet do të karakterizohen më tepër nga bashkëpunimi i dy vendeve në të gjithë sektorët, ku në përfundim të mbledhjes së përbashkët dhe fjalëve të mbajtura nga ministrat, pritet të ketë edhe firmosje të një sërë marrëveshjesh bilaterale.
Është bërë me dije se do të nënshkruhen nëntë marrëveshje dhe memorandume në fushat e energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë.
Po ashtu, projekti i ndërtimit të një ure lidhëse mbi lumin Bunë dhe kthimi i këtij të fundit në një atraksion të vërtetë turistik, do të jetë pjesë e bisedimeve.
Në përmbyllje të ditës, do të ketë edhe një deklaratë të përbashkët mes krerëve të qeverive respektive, lidhur me planet që dy vendet kanë për të ardhmen dhe integrimin evropian të rajonit.
Kjo është mbledhja e dytë që zhvillohet mes qeverive të dy vendeve.
Mbledhja do të nisë në orën 09:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri pasdite.



