
Presidenca reagon pas vendimit të Ministrisë së Mbrojtjes për të vendosur policinë ushtarake në aeroportin e Rinasit, me qëllim ruajtjen e sigurisë pas grabitjes tri ditë më parë të 10 milionë eurove.
Presidenti Meta i ka kërkuar Shtabit të Përgjithshëm të FA informacion mbi bazën ligjore të vendosjes së ushtrisë në këtë territor. Lajmin e bën të ditur zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi.
"Presidenti i Republikës i ka kërkuar zyrtarisht informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakut, mbi bazën ligjore të vendosjes së efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza", sqaron ai.
Por ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e sheh të panevojshëm njoftimin e kreut të shtetit, i cili njëkohësisht mban edhe postin e komandantit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të RSH, në lidhje me këtë vendim. Xhaçka është shprehur se rasti në fjalë nuk përbën cenim të sigurisë kombëtare. “Është praktikë që është bërë në shumë vende të tjera. Ky nuk është precedent i padëgjuar ndonjëherë por i përsëritur që na detyron të marrim përsipër për të garantuar sigurinë e qytetarëve, në radhë të parë. Pothuajse gjysma e infrastrukturës është ushtarake dhe jemi të detyruar të garantojmë perimetrin e sigurisë së aeroportit dhe policia ushtarake e ka për detyrë. Do i japim përgjigje të gjithëve atyre që mesaduket nuk e njohin ligjin. Nuk ka pse të njoftohej presidenti. Nuk po shkojmë në luftë, nuk ka cënim të sigurisë kombëtare", është shprehur ajo.
Ndërkohë, edhe kryeministri Edi Ramau përfshi në këtë debat në distancë, me anë të një fotoje të postuar në rrjetet sociale.
“Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cenuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato. Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë. Prandaj kush flet për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike”, shkruan Rama.



