Emisioni “Fol” i gazetarit Erjon Skëndaj u ndal sot në Fierzë, ku banorët janë kundër gurores dhe ndërtimit të fabrikës së bitiumit në një zonë turistike.
Banorët thonë se fabrika e bitiumit, të cilën e konsiderojnë si “fabrika e vdekjes” apo “fabrika e kancerit” dëmton 12 fshatra të zonës dhe do t’ua bëjë jetën të pajetueshme.
Banorët thonë se fabrika e bitiumit është pa dokumentacion dhe momentalisht punimet janë pezulluar nga IKMT-ja. Ndër të tjera ata thonë se projekti është miratuar pa kuorumin e duhur në bashki, dhe nuk ka pasur asnjë konsultim publik.
Një 80-vjeçar thotë se gurorja shkatërroi Syrin e Kaltër, por ai u shpreh se banorët do ta hapin sërish.
Disa herë kam dalë në protestë. Zori edhe halli më ka detyruar. Ky vend turistik, janë 12 fshatra ku kalon nëpërmes tyre lumi Valbonës. Kemi jetesën minimale, dikush me bagëti, dikush me një bujtinë, dikush me një dyqan. Por ne na lindi fenomeni i një fabrike guroreje. Këtu është marrë i gjithë volumi i gurëve, që ka shkuar në digën e hidrocentralit të Fierzës, ky ka qenë misioni i gurores në kohën e Partisë së Punës. Këtu janë bërë plasje masive. Këtu është porta hyrëse për në Valbonë. Këtu po thonë që do vijë edhe fabrika e bitiumit që do të na i bëjë të pabanueshme jetesën. Një pronar e ka sjellë këtu, ka vazhduar punimet. Kemi protestuar 4-5 herë pasi kjo dëmton 12 fshatra. Ne e kemi etiketuar si fabrika e vdekjes, si fabrika e kancerit. Ka ardhur IKMT-ja e ka gjetur pa dokumente, ka pezulluar punimet. Makineritë janë aty”.
Një tjetër banor i zonës, Paulo Gjoka, shprehet
Erdhi me mbështetje të kryetarit të bashkisë. Kryetari i bashkisë është pro, edhe ai tha do hajë bukë diku tjetër, ka dokumentacion. Na rezultoi në bazë të disa protestave që bëmë, u çuam rreth 600 banorë...Por na rezultoi që ishte pa dokumentacion. Ne kemi pamje filmike që nuk kishte kuorumin e duhur për t’u miratuar dhe ne e dinim që s’ka dokumentacion. Janë kushërinjtë e kryetarit të bashkisë. Ndërhyri edhe ministria, me pretendimin sikur kishte një leje mjedisore, dhe kishte pasur një leje mjedisore pa adresë të këtushme. Rama e hoqi nga Valbona dhe e sollën këtu. Është me adresë false, në shkelje të ligjit, dhe nuk është njësia këtu ku ka pasur dokumentacion. Është bërë pa votat e duhura, pa konsultim publik. Ministria e Mjedisit në momentin që e konstatoi që s’është këtu adresa ku ka aplikuar për leje mjedisi, ia pezulloi. Dhe jemi palë sot në gjykatë, ne dhe ministria, kundër tij. Sipas informacioneve që kam po mundohet të riaktivizohet”.
Një qytetar tjetër tregon:
Ne nuk jemi njoftuar fare si zonë. Dëgjesa publike është bërë me banorët e njësisë administrative Bujan. Nuk jemi kundër pronës dhe zhvillimit të saj. Ne kërkojmë një të drejtën tonë legjitime të jetesës. Unë kam bërë një investim të vogël që të jetoj me fëmijët e mi, vjen ti dhe më bën fabrikën e asfaltit pa më pyetur. Ky është ‘pushkatimi’ i dytë i joni pas atij të 74-ës. Fierza është pika lidhëse me Kosovën, me rrafshin e Dukagjinit. Këtu ke 100 kosovarë që vijnë për qejf për të kaluar ditën duke gjuajtur me kallam për peshk. Këtu kemi të bëjmë me një grup horrash, një grup hajdutësh, një grup halabakësh. Ne po mbesim gjithë jetën tonë kulakë, të shtypur!
Një tjetër qytetar shprehet se nëse fillon fabrika nuk mund të jetojë më këtu.



