Personat e verbër ankohen se qeveria dhe pushteti vendor i ka harruar në këtë periudhë izolimi social për shkak të pandemisë që ka përfshirë vendin.
Në një lidhje në skype për TvT, administratori i Shoqatës së të Verbërve, Gjergj Smakaj, u shpreh se asnjë masë nuk është marrë në ndihmë të kësaj kategorie sociale, Smakaj tha se shumë persona me aftësi të kufizuar nuk kanë kujdestarë që t’i ndihmojë për të marrë pagesat.
Problematikat për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, veçanrëisht të verbërit, janë të shumta edhe në kohë normale, jo më kohë të tilla. Në të gjitha masat që janë marrë nuk është parashikuar asgjë për personat me aftësi të kufizuar, veçanërisht të verbërit. Në dijenin time, në të gjithë Shqipërinë këta persona janë të detyruar të shkojnë t’i marrin këto pagesa në postë. Duke qenë se ne jemi në periudhë që duhet të qendrojmë në shtëpi. Kush do të shkojë për këta persona që të marrin këto pagesa?
E ftuar në studion e TvT, një ditë më parë zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri, deklaroi se personave më aftësi të kufizuara nuk u ka munguar asnjëhere mbështetja.
Nëse ka një kategori që është shumë e sigurt në të gjitha përfitimet që kemi dhënë përsa i përket mbështetjes financiare, janë personat me aftësi të kufizuar, pa dallim se çfarë tipologjie të kësaj aftësie të kufizuar kanë.
Shoqata e të Verbërve u bën apel strukturave shtetërore që të asistojë personat me aftësi të kufizuara, qoftë me ndihma ushqimore apo ndihmë financiare. Ata thonë se shumë herë u janë vonuar edhe pagesat e invaliditetit.



